Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë ndodh pas tërheqjes së Biden nga gara presidenciale


Vendimi i Presidentit Joe Biden për t’u tërhequr nga gara për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, i fut Shtetet e Bashkuara në një terren të paeksploruar.

Presidenti Biden shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate e Partisë Demokrate. Përpara se Presidenti Biden të merrte vendimin, Elaine Kamarck, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin Brookings, anëtare e Komitetit Kombëtar Demokrat dhe autore e një libri mbi procesin e emërimit presidencial, kishte shpjeguar për agjencinë Reuters se çfarë mund të ndodhë më pas, shkruan VOA.

ÇFARË NDODH TANI?

Presidenti Biden i ka kaluar muajt e fundit duke siguruar mbështetjen e afro 4000 delegatëve demokratë, pasi fitoi zgjedhjet brenda partisë.

Ata delegatë do të votonin normalisht për të si kandidatin zyrtar presidencial të partisë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokrate që do të mbahet më 19-22 gusht, por sipas rregullores ata tashmë nuk janë të detyruar ta bëjnë një gjë të tillë.

Delegatët mund të votojnë duke ndjekur ndërgjegjen e tyre, që do të thotë se mund t’ia japin votën dikujt tjetri. Me tërheqjen e tij, zoti Biden në mënyrë efektive po i lë të lirë delegatët e tij, ndoshta duke krijuar kushtet për një konkurrencë midis kandidatëve të tjerë demokratë për emërimin.

CILAT JANË ALTERNATIVAT PËR ZËVENDËSIMIN E PRESIDENTIT BIDEN SI KANDIDAT?

Disa zyrtarë demokratë mund të dëshirojnë të marrin pjesë në garë.

Nënpresidentja Kamala Harris është në krye të listës, por ajo ka patur problemet e saj pas një fillimi të vështirë në detyrë dhe një nivel jo të lartë mbështetjeje në anketime. Kushtetuta amerikane thotë se nënpresidentja mund të bëhet presidente, nëse presidenti vdes apo nuk është në gjendje të ushtrojë detyrën, por nuk parashtron një proces brenda partive për përzgjedhjen e kandidatit zyrtar.

Ndër emrat e tjerë që janë përmendur si zëvendësues të mundshëm janë guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom, guvernatorja e Miçiganit Gretchen Whitmer, guvernatori i Kentakit Andy Beshear dhe guvernatori i Illionit JB Pritzker. Deri më tani, ata kanë qenë mbështetës të presidentit Biden dhe kanë punuar për ta ndihmuar atë të rizgjidhej.

SI DO TË PËRZGJIDHET I EMËRUARI I RI?

Mund të ketë një proces të hapur për të gjithë mes zyrtarëve kryesorë demokratë që e dëshirojnë këtë rol.

Sipas Ballotpedia-s, pritet që për këtë vit të jenë rreth 4,672 delegatë, nga të cilët 3,933 janë delegatë dhe 739 të ashtuquajtur superdelegatë, që janë përgjithësisht zyrtarë të lartë të partisë.

Që të marrë emërimin, një kandidat duhet të fitojë shumicën, pra më shumë vota se të gjithë kandidatët e tjerë së bashku.

Nëse asnjë prej kandidatëve nuk arrin një shumicë të tillë, atëherë do të ketë disa raunde votimesh për të arritur këtë lloj shumice dhe që të dilet me një kandidat zyrtar të partisë. Një konventë e tillë e hapur është mbajtur në vitin 1952 dhe demokratët nuk arritën të përzgjedhin një kandidat me votimin e parë.

ÇFARË DO TË NDODHË ME FONDET E FUSHATËS?

Fushata Biden-Harris pati mbledhur rreth 91 milionë dollarë kontribute deri në fund të majit, por ekspertët për legjislacionin e financimit të fushatave elektorale kanë mendime të ndryshme se si mund të zhvendosen këto fonde.

Për shkak se emri i zonjës Harris shfaqet në dokumentacionin e paraqitur për regjistrimin e fushatës, shumë ekspertë besojnë se fondet mund të transferohen drejt saj, nëse ajo fiton emërimin si kandidate zyrtare e Partisë Demokrate. Por ka edhe debat nëse presidentit Biden do t’i duhej fillimisht të bëhej i emëruari zyrtar i partisë dhe në vazhdim të kryhej transferimi i fondeve.