Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë, shpërthim në afërsi të Liqenit të Ujmanit, dëmtohen dy makina


Foto ilustruese

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se të dielën ka ndodhur një shpërthim në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për pjesën veriore, Veton Elshani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale në dy vetura.

Ai nuk e ka specifikuar saktë se për çfarë shpërthimi bëhet fjalë.

Elshani ka thënë se policia është duke u marrë me rastin.

Qytetarë të zonës janë parë në javët e fundit duke u freskuar afër liqenit, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.

Rëndësia e Ujmanit për Kosovën

Ky liqen konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi përveç të tjerash , aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.

Kosovë/ Policia konfirmon se ka ndodhur një shpërthim në afërsi të Liqenit të Ujmanit

Gjithashtu  termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MW) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.

Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL