Një ngjarje kriminale është arritur të parandalohet nga policia e Lezhës këtë të diel.
Sipas informacioneve në pranga është vënë një 48-vjeçar nga Pogradeci i identifkuar Arben Zagolli, i cili po udhëtonte me taksi drejt Lezhës, teksa efektivët i kanë ushtruar kontroll i kanë gjetur dhe sekuestruar armë zjarri, tip pistoletë, 2 mina me telekomandë e municion luftarak.
Policia thotë se hetimi është në bashkëpunim me Prokurorinë dhe vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48- vjeçarit Arben Zagolli të armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale.
Njoftimi i policisë:
“Lezhë/ I armatosur me armë zjarri dhe me dy mina me telekomandë, falë inteligjencës policore, parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, operacioni policor i koduar “Destinacioni”.
Kapet te “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë, 48 vjeçari nga Pogradeci që udhëtonte me një taksi drejt Lezhës.
Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë, dy mina me telekomandë dhe municion luftarak.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme në kuadër të megaopeacionit “Sundimit të Ligjit”, bazuar në inteligjencën policore se një shtetas i armatosur me armë zjarri e mina me telekomandë po udhëtonte drejt Lezhës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Destinacioni”.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Shënkollit”, Lezhë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin taksi ku udhëtonte si pasagjer shtetasi A. Z.
Nga kontrolli fizik i këtij shtetasi, Policia i gjeti 1 armë zjarri pistoletë me fishekë, dy mina me telekomandë, dhe municion luftarak.
Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Z., 48 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna intensive për zbardhjen e plotë të qëllimit të udhëtimit të 48 vjeçarit i armatosur me armë zjarri dhe mina, si dhe për identifikimin e kapjen e shtetasit/ve që do të bashkëpunonte në Lezhë, për të kryer ngjarje kriminale”.