Policia e Shtetit ka dhënë hollësi të reja për shpërthimin e një makine që plagosi dy vëllezërit në Gramsh pasditen e sotme.
Sipas policisë nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit me ndonjë lënë eksplozive duke hedhur kështu poshtë indiciet për një ngjarje kriminale.
Policia dyshon se në kroskotin e makinës ka pasur lënë plasëse e dyshuar Amonit Malor me fuqi të ulët veprimi që dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga veprimet e para hetimore policia e konsideron këtë ngjarje aksidentale dhe jo kriminale.
“Në lidhje me informacionin e dhënë për një shpërthim të ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, në automjetin tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, ju informojmë se:
Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethaneve qe kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.
Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicje për veprim kriminal ndaj të dëmtuarëve.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, njofton policia.