Vendosni fjalën kyçe....

Tre të vrarë dhe 1 i plagosur brenda një lokali në Memaliaj


 

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Memaliaj në mesnatën e së shtunës, 20 korrik 2024.

Nga informacionet e para mësohet se tre persona kanë mbetur të vrarë në një lokal pranë godinës së bashkisë.

Sipas raportimeve në media viktimat janë identifikuar si Shyqo Kalemi, Gledio Muka dhe M. Çela.  Trupat e pajetë ndodhen brenda lokalit prane bashkisë ku dhe ndodhi vrasja.

Ndërkohë në spitalin e Gjirokastrës ka mbërritur dhe një person i plagosur, Artur Kalemi, që dyshohet se ka qenë aty në momentin kur ndodhi vrasja.

Dyshimet e para janë se objektiv i atentatit ka qenë Shyqo Kalemi, ndërsa dy viktimat e tjera janë kamarieri dhe një klient i lokalit.  Atentatorët pasi kanë qëlluar me automatik kallashnikov duke lënë të vdekur 3 personat janë larguar në drejtim të paditur.

Policia e Gjirokastrës ka rrethuar zonën dhe po punon për mbledhjen e provave materiale apo të dëshmive që mund të ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës por dhe identifikimin e arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë.

 

Njoftimi i plotë i Policisë:

Memaliaj/Informacion paraprak

Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., M. C., dhe G. M, si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet.

Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë.

Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.