Një atentat ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (20 korrik) rreth orës 23:20 në një lokal në Memaliaj, ku kanë mbetur të vrarë tre persona dhe një është plagosur.
Autorë ende të paidentifikuar kanë qëlluar me kallashnikov duke lënë të vrarë Shyqo Kalemin 74 vjeç, Gledio Muka, 36 vjeç dhe M. Çela 47 vjeç. Ndërsa ka mbetur i plagosur Artur Kalemi 57 vjeç, i cili është vëllai i personit që ka humbur jetën.
Sipas informacioneve nga policia bëhet me dije se pas krimit autorët ishin larguar me makinë drejt Mallakastrës, ku më pas e kanë lënë atë të djegur.
Njoftimi i policisë
“Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., 74 vjeç, M. C., 47 vjeç dhe G. M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore. …
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve” thuhet në njoftimin e policisë së Gjirokastrës”.
Kush dyshohet të jetë objektiv i atentatit?
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se objektiv i atentatit ka qenë Shyqo Kalemi, ndërsa dy viktimat e tjera janë kamarieri dhe një klient i lokalit që ndodheshin aty në atë moment.
74 vjeçari është babai i Andrea Kalemit i njohur dhe si Adriatik Kalemi i cili dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022.
Në mbrëmjen e 20 korrikut, i moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur ti shpëtonin atentateve të mëparshme.
Dy djemtë e tij, Andrea Kalemi dhe Zamir Kalemi kanë arritur ti shpëtojnë atentateve gjatë vitit 2023 dhe së fundmi në janar të këtij viti.
Andrea Kalemit i ka shpëtuar një atentati më 9 gusht 2023 në ishullin Pax të Greqisë. Ai u qëllua të paktën 10 herë në sy të tre fëmijëve dhe bashkëshortes së tij nga një person i cili kishte fytyrën të mbuluar dhe është larguar pa u vënë re nga askush.
Gjithashtu në 14 dhjetor 2023 u qëllua me thikë në burgun e Koridhalos në Greqi.
Në 12 janar 2024 tek rrethrrotullimi i Selitës në Tiranë i’u bë atentat Zamir Kalemit. Persona ende të panjohuar qëlluan me kallashnikov drejt makinës së djalit të Shyqos, vëllait të Andrea Kalemit. 40 vjeçari Zamir Kalemi arriti ti shpëtojë atentatit duke u plagosur në këmbë.
Ndërsa në 11 qershor të vitit 2022, Aleksandër Sadikaj vritet në një shpërthim me telekomandë. 27 vjeçari ishte kushëriri i Kalemëve. Sadikaj po lëvizte me makinë në aksin e njohur si Sauk-TEG.
Autorët dyshohet se kishin vënë një sasi të konsiderueshme prej 150 gramësh tritol të komanduar me telekomandë, në pjesën e përparme të makinës e cila është aktivizuar gjatë lëvizjes.
Gjithashtu në 16 dhjetor 2022, gjashtë muaj më pas vritet në Tiranë biznesmeni sarandiot Edmond Papa. Vrasja ishte hakmarrje për vrasjen e Sadikajt.
Për ekzekutimin e tij i arrestuar është shoku i Andrea Kalemit, Albano Velo, ndërsa në kërkim është shoku tjetër Andrew Bode. Në dosjen hetimore përmendet edhe emri i Kalemit.
Më 8 janar 2024 Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dorëzon në gjykatë dosjen penale ndaj Andrew Bodes dhe Albano Velos. Prokuroria thotë se Papa dyshohet se u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur si ‘Sanço’.