Vendosni fjalën kyçe....

21 Janari/ Bashkëshortja e Aleks Nikës 3 orë dëshmi në SPAK: Dhashë fakte të reja


5 ditë pas regjistrimit të hetimit të çështjes së 21 janarit, sot u paraqiten në SPAK për të dhënë dëshmi xhaxhai dhe bashkëshortja e Aleks Nikës, i mbetur i vrarë në Bulevard gjatë protestës së opozitës së asaj kohe në 21 janar 2011.

Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika e cila ka bërë edhe kallëzimin në SPAK u paraqit pak para orës 10:00 në ambientet e SPAK, dhe doli rreth orës 13:10, duke dhënë kështu për gati 3 orë dëshminë e saj.

 “Dhashë fakte të reja, por nuk mund t’i bej publike”, tha ajo për mediat.

Ndërkohë xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, pas dëshmisë së tij në SPAK në lidhje me 21 Janarin, u shpreh se ka besim që Prokuroria e Posaçme do ta çojë deri në fund hetimin e ngjarjes.

Ai ka zbuluar detaje nga dëshmia e tij, ndërsa edhe një herë ka përsëritur kërkesën për hetimin e zinxhirit komandues, nga Garda tek ish- kryeministri Berisha dhe ish-ministri Basha.

 “Kasetën e ka Artan Hoxha e do ta dorëzojë në SPAK.

Pame se SPAK rinisi hetimet dhe premtimi është që do respektohen procedurat.

Ne kemi dhënë fakte të tjera më parë në Prokurorinë e Tiranës.

Unë them se siç ka nisur hetimit, çështjen do ta çojë deri ën fund. Nuk ka ndikime politike dhe do ta zbardhë çështjen deri në fund.

U thirra për kasetën. Kasetën e Artan Hoxha dhe është i gatshëm ta dorëzojë.

Pamjet do të grupohen dhe do t’i jepen SPAK-ut.

Sot trajtuam edhe anën teorike sepse ka probleme në procedurën penale, lidhur me parashkrimet. E ngrita si shqetësim. Kërkojmë hetim për zinxhirin komandues.

Nuk kishte vullnet politik, ishte një krim shtetëror.

Kërkojmë hetimin e komandës së Gardës, kryeministri i kohës dhe ministri”, tha ai.

Kujtojmë që ishte Gjykata e Lartë ajo që urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.