Fermerët e Maliqit dolën sot paradite në protestë bashkë me mjetet e tyre për të kërkuar ndërhyrjen e qeverisë pasi rrezikojnë të falimentojnë.
Protesta u mbajt pranë kryqëzimit të Libonikut në Maliq. Fermerët e zonës në shenjë proteste me mjetet e tyre bllokuan përkohësisht aksin rrugor që lidh Drithasin me Maliqin.
Produktet e ngelura në stok prej vitesh, mungesa e tregut dhe subvencionimit dhe mos ndërhyrja e shtetit për të rregulluar sektorin bujqësor kanë qenë disa nga pikat për të cilat u zhvillua kjo protestë. Sipas Shqiptarja.com fermerët thonë se kostoja e prodhimit të produkteve është shumë më e lartë se ajo e shitjes.
“Ne nuk dalim dot jashtë. Duam të punojmë këtu dhe të ardhurat këtu I kemi, por qeveria të vërë dorë. Qumështi 50 lekë, patatja 20 lekë, qepa 20 lekë (të reja). Pse nuk shitet prodhimi këtu se vjen nga jashtë. Duam të hamë”, thotë një fermer.
“Na ka vajtur atje ku nuk mban më. Si asnjëherë tjetër fermerët kanë ardhur në protestë. Jemi të penalizuar nga prodhimi i Kosovës. Jo vetëm i Kosovës, e marrin nga Serbia dhe e sjellin këtu.
Nuk shesim dot, patatën, qepën, grurin e misrin. Si asnjëherë tjetër gruri është me 24 lekë kilogrami, turp i zi. Kostoja e grurit vete 30 lekë. Me qepën e pataten na godet shumë Kosova, se fermerët e Kosovës subvencionohen për kilogram”, thotë një tjetër.
Protesta është shoqëruar me tensione të shumta për shkak se banorët kishin bllokuar rrugën me zetora. Vetë drejtori i policisë së qarkut ka dhënë urdhër policisë së shtetit që me forcë të largojë protestuesit për të hapur rrugën.
Madje fermerët që bllokuan rrugën me zetora janë gjobitur me 100 mijë lekë të reja (1 mln lekë të vjetra).