Vendosni fjalën kyçe....

QKB thirrje bizneseve: Dorëzoni pasqyrat financiare vjetore brenda 31 korrikut


Bizneset kanë afat deri në fund të muajit korrik për të dorëzuar pasqyrat financiare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Përmes një njoftimi zyrtar, QKB solli në vëmendje të bizeist se brenda datës 31 korrik, konform ligjit duhet të depozitojnë pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare vjetore; raportin e ecurisë së veprimtarisë; dhe raportin e auditimit.

Qendra Kombëtare e Biznesit thekson se pavarësisht formës së tyre ligjore, depozitimin e akteve të mësipërme duhet ta kryejë çdo subjekt i regjistruar në Regjistrin Tregtar, kur këto subjekte kanë detyrimin e hartimit të tyre.

Dorëzimi i tyre mund të behet përmes shërbimit online “ Depozitimi i pasqyrave financiare dhe raporteve të auditimit (për subjektet me administrator shqiptar dhe/ose të huaj)’’ në e-albania.

Sipas ligjit “Për regjistrimin e biznesit”, subjektet duhet të regjistrojnë dhe depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, në rastet kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, jo më vonë se 7 muaj nga data e mbylljes së çdo viti financiar, në të kundërt aplikohet sanksion administrativ gjobë.

Referuar legjislacionit, kundërvajtja administrative e aplikuar në këtë rast ka një vlerë me 15 000 lekë. Me të njëjtën vlerë dënohet edhe deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale.