Vendosni fjalën kyçe....

Atentati ndaj Donald Trumpit, dorëhiqet shefja e Shërbimit Sekret


Shefi i Shërbimit Sekret Amerikan jep dorëheqjen pas tentativës për vrasjen e Trump

Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle dha dorëheqjen pas atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump 10 ditë më parë.

Largimi i saj vjen mes shqyrtimit të ashpër të agjencisë së drejtuar prej saj pas dështimit të rëndë për të ndaluar atentatorin 20-vjeçar Thomas Matthew Crooks, i cili arriti të plagoste në veshin e djathtë kandidatin republikan për president, vrau një pjesëmarrës në tubim dhe lëndoi rëndë dy të tjerë.

Shërbimi Sekret, i cili është përgjegjës për mbrojtjen e presidentëve dhe ish-presidentëve të SHBA-së, përballet me një krizë të rëndë pasi 20-vjeçari ishte në gjendje të qëllonte mbi Trump-in nga një çati me pamje nga mitingu në natyrë në Butler, Pensilvani më 13 korrik.

“Shqyrtimi i pavarur për të hetuar deri në fund të asaj që ndodhi më 13 korrik vijon dhe unë pres të vlerësoj përfundimet e tij,” tha presidenti demokrat Joe Biden në një deklaratë.

“Ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi atë ditë nuk mund të ndodhë më kurrë.”

Biden tha se ai do emërojë një pasardhës të Cheatle së shpejti.

Cheatle u përball me dënimin dypartiak kur ajo u paraqit para Komisionit të Mbikëqyrjes së Kongresit të hënën, duke kundërshtuar t’u përgjigjet pyetjeve të ligjvënësve të zemëruar në lidhje me planin e sigurisë për tubimin dhe mënyrën sesi forcat e zbatimit të ligjit iu përgjigjën sjelljes së dyshimtë të personit të armatosur.

Disa ligjvënës republikanë dhe demokratë i kishin bërë thirrje asaj të jepte dorëheqjen.

Trump, kandidati republikan presidencial, u qëllua në veshin e djathtë dhe një pjesëmarrës në tubim u vra nga të shtënat me armë. Personi i armatosur, i identifikuar si një 20-vjeçar Thomas Crooks, u qëllua dhe u vra nga një snajper i Shërbimit Sekret.

“Ndërsa dorëheqja e drejtores Cheatle është një hap drejt përgjegjësisë, ne kemi nevojë për një rishikim të plotë se si kanë ndodhur këto dështime të sigurisë në mënyrë që të mund t’i parandalojmë ato të përsëriten”, tha në një deklaratë James Comer, kryetar republikan i Komitetit të Mbikëqyrjes së Kongresit.

“Ne do vijojmë mbikëqyrjen tonë të Shërbimit Sekret.”

Cheatle, e cila ka udhëhequr agjencinë që nga viti 2022, u tha ligjvënësve se ajo mori përgjegjësinë për të shtënat, duke e quajtur atë dështimin më të madh të Shërbimit Sekret që kur presidenti i atëhershëm Ronald Reagan u qëllua në 1981.

Shërbimi Sekret përballet me hetime nga komitete të shumta të Kongresit dhe mbikëqyrësi i brendshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, organizata e tij meme. Presidenti Joe Biden, i cili i ka dhënë fund fushatës së tij për rizgjedhje, ka kërkuar gjithashtu një rishikim të pavarur.

Pjesa më e madhe e kritikave është përqendruar në dështimin për të siguruar çatinë e një ndërtese industriale ku personi i armatosur ishte vendosur rreth 120 metra nga skena ku po fliste Trump.

Çatia u deklarua jashtë perimetrit të sigurisë së Shërbimit Sekret për ngjarjen, një vendim i kritikuar nga ish-agjentët dhe ligjvënësit.

Cheatle mbajti një rol të lartë sigurie në PepsiCo kur Biden emëroi drejtoreshën e Shërbimit Sekret në vitin 2022. Më parë ajo shërbeu 27 vjet në agjenci.

Ajo mori detyrën pas një sërë skandalesh që përfshinin Shërbimin Sekret që dëmtuan reputacionin e një agjencie elitare dhe të fshehtë.

Dhjetë agjentë të Shërbimit Sekret humbën punën pas zbulimeve se sillnin gra, disa prej tyre prostituta, në dhomat e tyre të hotelit përpara një udhëtimi në Kolumbi nga presidenti i atëhershëm Barack Obama në 2012.

Agjencia u përball gjithashtu me akuza se fshiu mesazhet me tekst rreth kohës së sulmit të 6 janarit 2021 në Kapitolin e SHBA-së. Këto mesazhe u kërkuan më vonë nga një panel i Kongresit që hetonte trazirat.