Vendosni fjalën kyçe....

Hetimi i TIMS, raporti i ekspertëve kërkon nga SPAK të hetojë përgjegjësit


Grupi i ekspertëve ka dorëzuar raportin përfundimtar lidhur me hetimin e sistemit TIMS, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të hetojë rolin dhe veprimtaritë e paligjshme të personave përgjegjës.

Raporti, i paraqitur nga kryetari i Komisionit, Ervin Salianji, evidenton përgjegjësitë institucionale për skandalin në fushën e sigurisë. Sipas raportit, përgjegjës për skandalin janë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ish-ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, ish-Drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, ish-Drejtori i Drejtorisë së Sistemeve në Policinë e Shtetit, Besjon Tanuzi, ish-Drejtorja e Drejtorisë së IT-së në Policinë e Shtetit, Nevila Xoxa, Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Policinë e Shtetit, Zef Laska dhe specialisti i Drejtorisë së IT-së në Policinë e Shtetit, Bruno Veizaj.

Raporti thekson nevojën për një hetim të plotë, të thelluar dhe gjithëpërfshirës nga SPAK, duke sugjeruar se hetimi mund të nxjerrë në dritë fakte të reja të paligjshme dhe të identifikojë persona të tjerë të përfshirë.

“Sjellim në vëmendje, se për shkak të zvarritjes së dërgimit të kërkesave për informacion nga deputetët e mazhorancës, vonesës në kthimin e përgjigjeve nga institucioneve apo moskthimin e përgjigjeve nga institucionet, si në rastin e Këshillit të Ministrave, rrëzimit të kërkesave për thirrjen e dëshmitarëve të tjerë dhe kohës së shkurtër në dispozicion, Komisioni Hetimor i Kuvendit ka qenë në pamundësi objektive për të kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që do të çonin në zbardhjen e plotë të së vërtetës. Prandaj, SPAK, pasi t’i vihet në dispozicion ky material, në përputhje edhe me kompetencën e saj lëndore të parashikuar nga neni 135, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë, dhe neni 75/a të Kodit të Procedurës Penale, ka mundësi të hetojë dhe zbardhë të plotë veprimtarinë e paligjshme të personave të sipërcituar”, thuhet në raportin përfundimtar.

Nuk dihet nëse anëtarët socialistë në Komisionin Hetimor do të miratojnë raportin, por nga debati i zhvilluar në nisje të mbledhjes, e fundit kjo për këtë komision, ata tha se do të hidhej në votë ky raport.