Deputeti i PS-së Toni Gogu tha në Komisionin Hetimor të Kuvendit për sistemin TIMS se brenda gjashtë muajsh do ketë ndryshime ligjore dhe rishikim tërësor të akteve të mbrojnë të dhënat.
Mes debatesh të forta vijon mbledhja e komisionit për TIMS-in ku Gogu theksoi se pas hetimit të plotë kanë dalë qartazi problematika në zbatimin e ligjit dhe se nevojitet një rishikim i plotë i veprimtarisë se strukturave të policisë me sistemin TIMS.
“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t’i nënshtrohet shqyrtimit në parlament. Aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel. Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare.
“Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht:
a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”
b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS,
b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS,
c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.
Është thelbësore, që çdo organ i varësisë së ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, përgjegjës për kontrollet kufitare edhe sistemin TIMS, t’i nënshtrohet llogaridhënies së detajuar dhe masave mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave, në mënyrë përiodike. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta të kontrollit kufitar, përfshirë edhe testimet e certifikimet e sistemeve TIMS të zbatuara në Shqipëri, duhet t’i nënshtrohen mbrojtjes efektive të të dhënave”, thuhet në raportin e PS-së në Komisionin Hetimor.