Komisioni për Etikën i Senatit amerikan e informoi senatorin Bob Menendez, i cili u shpall fajtor për korrupsion javën e kaluar, se ka ndërmarrë hapat e parë për të shqyrtuar nëse ai ka shkelur rregullat e etikës, gjë që mund të sjellë në përjashtimin e tij nga Senati, thanë të hënën krerët e komisionit.
“Komisioni ka në plan ta kryejë këtë shqyrtim me shpejtësi”, thanë në deklaratë kryetari demokrat Chris Coons dhe nënkryetari republikan James Lankford.
Zyra e senatorit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Senatori Menendez u ka rezistuar thirrjeve për dorëheqjen e tij, përfshirë nga guvernatori i Nju Xhersit, shteti i tij dhe udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, pasi u shpall fajtor në gjykatën federale në Nju Jork për 16 akuza penale, përfshirë marrje ryshfetesh.
Zoti Menendez, i cili ka përfaqësuar Nju Xhersin në Senat që nga viti 2006, ka thënë se do të apelojë vendimin. Ai dhe gruaja e tij kishin pranuar shufra ari dhe para në dorë si edhe në formë pagesash për kredi makinash dhe banesash si ryshfet nga tre biznesmenë në këmbim të dhënies së miliarda dollarëve në ndihmë amerikane për Egjiptin, ku njëri prej biznesmenëve kishte lidhje me zyrtarë të qeverisë.
Senatori demokrat Menendez, po kandidon për rizgjedhje si i pavarur. Partia e tij ka emëruar ligjvënësin Andy Kim për vendin e tij në nëntor.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA