Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se ekipi i tij po përgatit katër marrëveshje të reja sigurie për Kievin për të forcuar mbrojtjen e vendit, ndërsa lufta Rusi-Ukrainë vazhdon në vitin e tretë.
“Një përmbledhje e shkurtër e ditës. Ekipi ynë po përgatit katër marrëveshje të reja sigurie për Ukrainën. Shumë shpejt, ne do të fillojmë negociatat dhe do të përgatisim menjëherë dokumentet për nënshkrim,” tha Zelenskyy në një fjalim video të mbrëmjes të hënën vonë.
Zelenskyy tha se marrëveshja e sigurisë që po përgatitet nga ekipi i tij do të mbulojë çështje të shumta si mbështetja e mbrojtjes, financat dhe bashkëpunimi humanitar.
“Me këto do të kemi gati tridhjetë marrëveshje të tilla me partnerët tanë. Ne synuam të përfshinim vende të ndryshme, jo vetëm anëtarë të NATO-s”, tha më tej Zelenskyy, duke shprehur se të gjitha vendet në fjalë janë “njëlloj të gatshme të na ndihmojnë të mbrojmë vlerat tona të përbashkëta”.
“Pavarësisht se çfarë ndodh në botë, ne kemi nevojë për mjetet tona për të mbështetur popullin dhe shtetin tonë, marrëveshjet tona të sigurisë që do të funksionojnë në çdo kusht. Kjo është pikërisht ajo që ne po bëjmë”, shtoi ai.
Ukraina ka nënshkruar tashmë traktate dypalëshe sigurie me 24 vende të tjera, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Japoninë, si dhe BE-në.
Marrëveshjet erdhën pasi G7 deklaroi gjatë një samiti të NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius korrikun e kaluar se po fillon negociatat me Kievin për të zyrtarizuar “mbështetjen e qëndrueshme” për Ukrainën përmes “angazhimeve dhe marrëveshjeve dypalëshe të sigurisë”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e AA