Rupert Murdoch, patriarku, ka lëvizur për të ndryshuar trustin e parevokueshëm ë familjes për të ruajtur bizneset e tij mediatike si një forcë konservatore. Disa nga fëmijët e tij po luftojnë kundër kësaj
Rupert Murdoch është i bllokuar në një betejë të fshehtë ligjore kundër tre prej fëmijëve të tij për të ardhmen e perandorisë mediatike të familjes, teksa ai po përpiqet ta ruajë atë si një forcë politike konservatore pas vdekjes, sipas një dokumenti të vulosur gjyqësor të marrë nga The New York Times.
Murdoch, 93 vjeç, vuri në lëvizje aktin e fundit të dramës në fund të vitit të kaluar, kur bëri një lëvizje të papritur për të ndryshuar kushtet e trustit të parevokueshëm të familjes Murdochs për të siguruar që djali i tij i madh dhe pasardhësi i zgjedhur, Lachlan, do mbetej në krye të koleksionit të madh të rrjeteve televizive dhe gazetave.
Trusti aktualisht ua jep kontrollin e biznesit familjar katër fëmijëve më të mëdhenj kur z. Murdoch të ndërrojë jetë. Por ai po argumenton në gjykatë se vetëm duke fuqizuar të birin Lachlan për të drejtuar kompaninë pa ndërhyrje nga vëllezërit e motrat e tij më të moderuar politikisht, ai mund të ruajë prirjen e saj editoriale konservatore dhe kështu të mbrojë vlerën e saj tregtare për të gjithë trashëgimtarët e tij.
Tre fëmijët e tjerë të Murdoch – James, Elisabeth dhe Prudence – u kapë krejt në befasi nga përpjekja e babait të tyre për të rishkruar atë që supozohej të ishte një amanet i pacenueshëm dhe janë bërë bashkë për ta ndaluar. Çuditërisht, beteja që pasoi është zhvilluar krejtësisht jashtë syve të publikut.
Muajin e kaluar, komisioneri i verifikimit në Nevada zbuloi se z. Murdoch mund të ndryshojë trustin nëse është në gjendje të tregojë se po vepron me mirëbesim dhe për synim të vetëm përfitimin e trashëgimtarëve të tij, sipas një kopjeje të vendimit të tij prej 48 faqesh.
Gjyqi që do përcaktojë nëse z. Murdoch në fakt po vepron me mirëbesim, pritet të nisë në shtator. Në ekuilibër do jetë e ardhmja e një prej kompanive mediatike më me ndikim politik në botën anglishtfolëse.
Përfaqësuesit e të dy palëve nuk pranuan të komentojnë. Të dy kanë punësuar avokatë me fuqi të madhe. Tre vëllezërit e motrat Murdoch përfaqësohen nga Gary A. Bornstein, bashkëdrejtues i procesit gjyqësor në kompaninë “Cravath, Swaine & Moore”. Z. Murdoch përfaqësohet nga Adam Streisand, një avokat në kompaninë “Sheppard Mullin”, i cili ka qenë i përfshirë në mosmarrëveshjet mbi pasurinë në rastet e Michael Jackson dhe Britney Spears.
Pak histori mediatike janë parë aq nga afër sa beteja pasardhëse mbi perandorinë Murdoch, si për shkak të natyrës së parezistueshme shekspiriane të dramës, ashtu edhe për shkak të ndikimit të jashtëzakonshëm politik të perandorisë. Vendimi i z. Murdoch në vitin 2018 për të caktuar zyrtarisht Lachlan si trashëgimtarin e tij, i dha fund spekulimeve prej vitesh mbi dëshirat e tij për kompaninë.
Megjithatë, ajo që nuk bëri ishte të sigurohej që dëshirat e z. Murdoch do mbijetonin edhepas largimit të tij: Trusti ekzistues u jep të katër fëmijëve të tij më të mëdhenj një zë të barabartë në të ardhmen e kompanisë.
Familja Murdoch ka qenë e ndarë më parë. James dhe Elisabeth në një periudhë konkurruan me njëri-tjetrin dhe me Lachlan për të marrë përfundimisht kompaninë dhe në periudha të ndryshme ata janë përplasur me njëri-tjetrin dhe babain e tyre.
James, i cili dikur ndihmoi në drejtimin e kompanisë me Lachlan, u largua nga ajo në vitin 2019 dhe tani mbikëqyr një fond investimi. Elisabeth drejton një studio të suksesshme kinematografike, “Sister” dhe prej vitesh kërkon të pozicionohet si “Zvicra” e familjes, duke ruajtur marrëdhënie të mira me të gjithë. Prudence, fëmija më i madh i Murdoch dhe i vetmi nga martesa e tij e parë, ka qenë më pak i përfshirë në biznesin familjar dhe ka mbetur më privati nga fëmijët.
Por duke pasur parasysh moshën e shtyrë të z. Murdoch, kjo betejë i ka të gjitha kushtet e një lufte finale për kontrollin e konglomerateve të tij mediatike të përhapura, të cilat zotërojnë Fox Neës, The Ëall Street Journal, The Neë York Post dhe gazeta dhe media kryesore në Australi dhe Britania. Ajo tashmë ka futur një pykë të re në familjen e famshme tashmë të thyer.
Politika dhe pushteti janë në themel të luftës. Që kur z. Murdoch krijoi trustin gati 25 vjet më parë, pikëpamjet politike të familjes kanë ndryshuar ndjeshëm. Gjatë ngritjes së Donald J. Trump, z. Murdoch dhe i biri Lachlan u lidhën më ngushtë, duke e shtyrë median më me ndikim të kompanisë, Fox News, më tej djathtas, duke i bërë tre fëmijët e tjerë gjithnjë e më të parehatshëm me lëvizjen.
Z. Murdoch e ka quajtur përpjekjen e tij për të ndryshuar turstin “Project Harmony” sepse shpresonte se kjo mund të shmangte një luftë të afërt familjare kur ai të vdiste, sipas një personi të afërt me familjen. Por ajo ka pasur efekt të kundërt.
Pas paraqitjes së peticionit të tij për të ndryshuar trustin, z. Murdoch u takua veçmas me Elisabeth dhe Prudence në Londër, me shpresën për të fituar mbështetjen e tyre, tha personi në fjalë. Në vend të kësaj, ata u zemëruan. Elisabeth iu përgjigj mundësisë me një sërë pasthirrmash.
Ditë më vonë, më 6 dhjetor, përfaqësuesit e z. Murdoch vijuan me mocionin për të bërë ndryshimet në një takim të posaçëm të trustit të thirrur me nxitim në Reno, Nev. Përfaqësuesit e tre fëmijëve kërkuan të shtynin mbledhjen dhe të bllokonin ndrshimet e propozuara por dështuan, sipas vendimit të gjykatës.
Lufta e ka lënë z. Murdoch ta largët nga tre nga fëmijët e tij në vitet e muzgut të tij. Asnjëri prej tyre nuk mori pjesë në dasmën e tij me Elena Zhukova në Kaliforni muajin e kaluar. Vetëm Lachlan ishte i pranishëm.
Megjithëse trusti shtë i parevokueshëm, ai përmban një dispozitë të veçantë që lejon ndryshimet e bëra me mirëbesim dhe me qëllimin e vetëm për përfitimin e gjithë anëtarëve të tij. Avokatët e z. Murdoch kanë argumentuar se ai po përpiqet të mbrojë James, Elisabeth dhe Prudence duke siguruar që ata nuk do jenë në gjendje të moderojnë politikën e Fox News ose të prishin operacionet e saj përmes një lufte të vijueshme për drejtimin.
Sipas vendimit të gjykatës, z.Murdoch ishte i shqetësuar se “mungesa e konsensusit” midis fëmijëve të tij “do ndikonte në drejtimin strategjik në të dyja kompanitë, duke përfshirë një riorientim të mundshëm të politikës dhe përmbajtjes editoriale”. Aty thuhet se qëllimi i tij ishte të “konsolidonte pushtetin vendimmarrës në duart e Lachlan dhe t’i jepte atij kontroll të përhershëm, ekskluziv” mbi kompaninë.
Dokumenti e bën të qartë se veprimet e z. Murdoch kanë shtyrë Elisabeth, Prudence dhe James në një qëndrim të përbashkët kundër tij. Vëllezërit e motrat ndajnë të njëtin qëndrim ligjor ligjore dhe po luftojnë për të mbajtur pozitat në të ardhmen e kompanisë, duke argumentuar se babai i tyre po përpiqet t’u heq të drejtën e votimit. Ata thonë se lëvizja e z. Murdoch shkel frymën e trustit fillestar, të sanksionuar në “dispozitën e qeverisjes së barabartë” dhe se nuk është bërë me mirëbesim.
Kjo do jetë një nga çështjet kryesore në gjykim. Siç shkroi komisioneri i verifikimit në Nevada, Edmund Gorman Jr., në vendimin e tij: “Një faktgjetës racional mund të zbulojë se përcaktimi se Amendamenti ishte në interesin më të mirë të përfituesve ishte bërë me ‘(pa) ndershmërinë e besimit, qëllimit, ose motivit, d.m.th., me keqbesim.”
Aksioni po zhvillohet në një gjykatë të verifikimit në Reno, e cila është e njohur për trajtimin e trusteve dhe pronave familjare. Nevada është një shtet popullor për trustet e familjes dinastike për shkak të ligjeve të favorshme të verifikimit dhe mbrojtjes së privatësisë. Vendimi i marrë nga The Times përmban një rishikim të fakteve nga një komisioner verifikimi, roli i të cilit është të gjykojë çështjet përpara se t’i dërgojë ndonjë çështje të pazgjidhur një gjyqtari për gjykim, siç bëri këtu.
Trusti mban aksionet e familjes në perandorinë e z. Murdoch, e cila tani është e ndarë kryesisht midis dy kompanive: Fox, e cila përfshin Fox News dhe rrjetin e transmetimit Fox, dhe News Corporation, e cila mban gazetat e tij kryesore.
Të gjashtë fëmijët e z. Murdoch kanë një pjesë të barabartë të kapitalit të trustit. Këtu përfshihen Chloe dhe Grace, dy fëmijët më të vegjël që pati me gruan e tij të tretë, Wendi Deng. Por këta të dy nuk kanë të drejtë vote.
Deri tani, të drejtat e votës ndahen mes z. Murdoch dhe katër fëmijëve të tij më të mëdhenj nëpërmjet përfaqësuesve të tyre të zgjedhur në bordin e trustit. Por z. Murdoch ka kontrollin përfundimtar dhe nuk mund të mundet me vota. Pasi ai të ndërrojë jetë, Lachlan, James, Elizabeth dhe Prudence marrin secili nga një votë të vetme. Siç tha z. Murdoch në një intervistë me Charlie Rose në 2006: “Nëse mua më shtyp autobusi nesër, do jenë të katër ata që do duhet të vendosin se cili prej tyre duhet t’i udhëheqë.”
Shqyrtimi i fakteve nga komisioneri i verifikimit tregon se z. Murdoch po lëviz për të zgjeruar fuqinë e votimit të Lachlan për të siguruar një shumicë dhe për të siguruar që ai të mos sfidohet në të ardhmen. Ndryshimet nuk do ndikojnë në aksionet e pronësisë së askujt në kompani.
Për të forcuar argumentin e tij se ai po bën ndryshiminme sybim përfitimin të gjithë trashëgimtarëve të tij, z. Murdoch ka lëvizur për të zëvendësuar dy nga drejtuesit e tij prej shumë kohësh si përfaqësues të tij personal në trust me dy persona me më shumë pavarësi. Njëri është William P. Barr, një prokuror i përgjithshëm nën Presidentët George H.Ë. Bush dhe Trump, i cili ishte gjithashtu i ftuar në dasmën më të fundit të z. Murdoch.
Dokumenti i gjykatës tregon se z. Barr po udhëheq përpjekjet e zotit Murdoch për të rishkruar trustin. Ai citon deklaratën e z. Barr në gjykatë kur ai prezantoi lëvizjen e z. Murdoch në mbledhjen e posaçme të trustit më 6 dhjetor. Z. Murdoch, tha ai, “i njihte kompanitë dhe mjedisin më mirë se kushdo tjetër dhe besonte se Lachlan ishte në pozitën më të mirë për të vijuar atë strategji të suksesshme.”
Konturet themelore të trustit datojnë që nga divorci i Murdoch nga gruaja e tij e dytë, Anna Mann, nëna e James, Elizabeth dhe Lachlan, nga e cilat z. Murdoch u divorcua përpara se të martohej me zonjën Deng në vitin 1999.
E shqetësuar për potencialin shkatërrues të një lufte pasardhëse dinastike, zonja Mann këmbënguli që zgjidhja e divorcit t’u jepte katër fëmijëve kontroll të barabartë mbi perandorinë, kanë thënë njerëzit e afërt me familjen. Si pjesë e marrëveshjes së tyre, z. Murdoch e mbylli këtë dispozitë përgjithmonë nëpërmjet një trusti të parevokueshëm.
Por z. Murdoch e pa atë dispozitë si të paqëndrueshme pasi vendosi Lachlan në krye të Fox and News Corporation në vitin 2019. Burimi kryesor i problemit ishte djali i tij më i vogël, James, i cili është lënë pas dore duke favorizuar Lachlan. Vitet e fundit, njerëz të afërt me James dhe gruan e tij Kathryn kanë thënë se pas vdekjes së z. Murdoch do konsideronin bashkimin me Elisabeth dhe Prudence për ta hequr kontrollin nga duart e Lachlan dhe për të zbutur “instinktet e egra” të djathta të kompanive.
James dhe Lachlan ndanë përgjegjësinë operative për kompanitë nga viti 2015 deri në vitin 2019, një marrëdhënie që u prish gjatë administratës Trump, pasi të dy u ndanë mbi trajtimin servil të Fox-it ndaj z. Trump. Lachlan dhe babai i tij hodhën poshtë shqetësimet e James, duke treguar vlerësimet rekord të rrjetit. James u largua nga biznesi pas ngjitjes së Lachlan si kryetar dhe shef ekzekutiv në vitin 2019 dhe u largua nga bordi i News Corporation në 2020, duke përmendur “mosmarrëveshjet mbi përmbajtjen editoriale të publikuar nga mediat e kompanisë”.
James dhe gruaja e tij, Kathryn, një aktiviste e gjatë për ndryshimet klimatike, mbeten kritikë publikë rastësorë dhe të kujdesshëm të perandorisë familjare. Pasi zjarret shkatërruan Australinë në fillim të vitit 2020, ata ndanë “zhgënjimin e tyre me disa nga mbulimet e News Corp. dhe Fox” të ndryshimeve klimatike në një deklaratë për The Daily Beast, duke vënë në dukje “mohimin e vijueshëm të mediave në Australi”. Pas trazirave të 6 janarit në Kapitol në Uashington, James kritikoi në mënyrë të tërthortë Fox News, duke thënë se “media të paidentifikuara që propagandojnë gënjeshtra për audiencën e tyre” kishin “shpalosur forca tinëzare dhe të pakontrollueshme që do jenë me ne për vite me radhë”.
Në pranverën e vitit 2019, fëmijët e z. Murdoch – duke përfshirë dy fëmijët që pati me zonjën Deng – morën pagesa prej rreth 2 miliardë dollarë secili nga shitja e studiove të tij filmike dhe aseteve të tjera nga Murdoch te Ëalt Disney Company. James dhe Kathryn njoftuan në atë kohë se ata do t’i kushtonin një pjesë të kësaj pasurie kauzave si ndryshimi i klimës dhe lufta kundër “joberalizmit të teknologjisë High-Tech”.
Sipas disa prej bashkëpunëtorëve të tij, z. Murdoch është vënë së fundmi nën kritikat dhe ankesat e James, duke qenë se perandoria familjare, të cilën z. Murdoch e ndërtoi pothuajse i vetëm, i ka bërë James dhe vëllezërit e motrat e tij multimiliarderë. Dokumenti i gjykatës tregon se përfaqësuesit e z. Murdoch i janë referuar atij në komunikimet e tyre si “prifti i lodhshëm”.
James kishte mosmarrëveshje me babanë dhe vëllanë e tij mbi Fox News, duke argumentuar se loja e tij ndaj z. Trump për fitimet afatshkurtëra të vlerësimit do zvogëlonte perspektivat afatgjata të kompanisë mëmë, një luftë që ai e humbi përpara se të ndahej me ta.
Që nga largimi nga kompania, James ka menaxhuar portofolin e tij të investimeve, me një interes kontrollues në kompaninë që drejton “Art Basel” dhe aksione të mëdha në kompanitë mediatike në Indi.
Ka qenë gjithmonë e paqartë se sa serioz ishte James në përpjekjen për të bërë ndonjë lëvizje kundër Lachlan, ose nëse ai do kishte mbështetjen e motrave të tij për një përpjekje të tillë. Fakti që ata janë bashkuar për të ruajtur trustin sugjeron se ai dhe motrat e tij tani janë në një linjë solide kundër Lachlan-it dhe se ato mund të përpiqen ta largojnë atë, ose të paktën të përpiqen të ndikojnë në drejtimin e kompanisë, pas vdekjes së babait të tyre.
Nëse ata do kenë fuqinë ligjore për ta bërë këtë, kjo do përcaktohet së shpejti në një sallë gjyqi në Reno.
…
*Benjamin Mullin kontribuoi për shkrimin.
*Jim Rutenberg është një shkrimtar prej shumë kohësh për The Times dhe The New York Times Magazine dhe shkruan më shpesh për median dhe politikën.
*Jonathan Mahler, një shkrimtar për The New York Times Magazine, ka shkruar për revistën që nga viti 2001.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani