Ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, “nuk e duron dot” presidentin Joe Biden dhe luajti një rol kyç në braktisjen e fushatës së tij për rizgjedhje, ka pretenduar kandidati republikan Donald Trump.
Biden njoftoi të dielën se do tërhiqej nga gara për Shtëpinë e Bardhë dhe do mbështeste zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harris, për të kandiduar në vend të tij.
Në prag të njoftimit, Obama thuhet se ishte një nga disa demokratë me peshë që i kërkuan privatisht Biden-it të përfundonte fushatën, nga shqetësimi se 81-vjeçari nuk do mund ta mposhtte ish-presidentin Trump në nëntor.
“Obama nuk mund ta durojë Biden-in dhe as ai nuk mund ta durojë Obamën”, tha Trump për New York Post të martën.
“Obama luajti rol kyç sepse tha se nuk do e mbështeste.”
“Edhe Nancy Pelosi e braktisi”, shtoi Trump, duke iu referuar ish-kryetares së Kongresit.
“Ata e braktisën dhe i thanë: “Ose dil me të mirë, ose ne do të detyrojmë Dhe kështu ndodhi. Dhe ai nuk kishte zgjedhje tjetër. Nuk ka asnjë dyshim për këtë.”
Biden njoftoi largimin e tij nga gara përmes një postimi në mediat sociale, ndërsa ishte i mbyllur në shtëpinë e tij në Delaëare ku po shërohej nga Covid-19. Kjo thuhet se tronditi disa nga ndihmësit e presidentit, të cilët i thanë Politico-s se nuk kishin asnjë ide se ai do largohej nga gara derisa panë postimet në X.
“Ai u largua nga pushteti si një qen”, tha Trump për Biden të mërkurën, në një postim në platformën e tij “Truth Social”.
“Ajo është e njëjtë si Biden, por shumë më radikale,” tha Trump për Harris.
“Ajo dëshiron kufij të hapur. Ajo dëshiron gjëra që askush nuk i do.”
Obama nuk iu bashkua Biden-it në mbështetjen e Kamala Harris. Në një deklaratë të dielën duke lavdëruar Biden për largimin, ish-presidenti nuk e përmendi Harrisin dhe u bëri thirrje demokratëve të “krijojnë një proces nga i cili të dalë një kandidat i shquar” në konventën e partisë në gusht.
Megjithatë, Harris ka fituar tashmë mbështetjen e mjaft delegatëve demokratë për të siguruar nominimin e partisë. Nëse nominohet, ajo do jetë kandidatja e parë presidenciale në 56 vjet që do të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë pa konkurruar ndonjëherë në zgjedhjet paraprake. Harris u largua nga gara për presidencën në vitin 2019 me numrat e mbështetjes në sondazhe midis 1% dhe 2%.