Gazetari Çim Peka ka paralajmëruar një tjetër intervistë ekskluzive me ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetajn, i cili aktualisht ndodhet jashtë shtetit.
Vetë gazetari Peka e ka bërë të ditur këtë gjë nëpërmjet rrjeteve sociale duke shpërndarë edhe foto nga intervista me Ahmetajn.
Kujtojmë se zëvendëskryeministri ka dhënë më herët edhe një tjetër intervistë tek ‘Çim Peka Live’, i cili hodhi akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erjon Veliaj.
Në mënyrë direkte, zoti Ahmetaj tha në intervistën e shkuar se nëse do të bëhej hetim real për inceneratorin e Tiranës shqiptarët do të llahtarisen teksa theksoi se në krye të aferës është maja e pushtetit politik në Shqipëri.
“Po qe se do të bëhej një hetim i vërtetë për inceneratorin e Tiranës, shqiptarët nuk do të habiten, por do të llahtarisen se deri ku do të shkojë. Po sigurisht që SPAK nuk e bën këtë. Unë thashë, ‘ndiq paratë’. Unë isha i akuzuar nga opinioni publik pra, në populizmin penal shqiptar, unë po goditesha me gurë nga dritaret e Top Channel, apo nga të gjitha mediat e paguara nga inceneratorët. Mercenarë, vullnetarë, të paguar, të sponsorizuar, të gjithë. Unë habitem se si, kur del nëpër letra se je paguar nga inceneratorët dhe të dalësh të bësh sikur po lufton korrupsioni është çmenduri. Megjithatë ky është një diskutim dhe kapitull tjetër. Pra, po të hetohet Tirana, shqiptarët nuk do të habiten, por të llahtarisen. Do të shkojë shumë lart.” – është shprehur Ahmetaj