Raportet për një bastisje të korporatës në gjigantin e tregtisë elektronike “Wildberries” nuk janë të vërteta, ka thënë themeluesja dhe shefja ekzekutive e shitësit më të madh në internet të Rusisë, Tatyana Bakalchuk.
Biznesmenia komentoi në Telegram të martën duke mohuar një pretendim të bashkëshortit të saj Vladislav Bakalchuk për një përpjekje për rrëmbimin e paligjshëm të biznesit familjar, duke zbuluar se të dy po divorcoheshin.
Më herët gjatë ditës, kreu i Republikës Çeçene Ramzan Kadyrov postoi një video të një bisede me Vladislav Bakalchuk, i cili pretendonte se kompania reklamuese “Russ Outdoor” po përpiqej në mënyrë të paligjshme të merrte asetet e “Wildberries”.
Ai pretendoi se pronarët e “Russ Outdoor”, vëllezërit Levon dhe Robert Mirzoyan, mashtruan gruan e tij.
“Ky nuk është një rrëmbim e stilit mafioz. Ky është një divorc,” shkroi Tatyana Bakalchuk në përgjigje të deklaratës së burrit të saj, duke vënë në dukje se “që nga fillimi, gjithçka ishte dakordësuar me Vladislavin.”
Sipas gazetës Vedomosti, “Wildberries” u bashkua me “Russ Outdoor” në qershor. Bakalchuk më vonë konfirmoi se ajo do drejtonte grupin e bashkuar të kompanive.
Më 22 korrik, “Russ Outdoor” njoftoi se kompanitë po krijonin një departament të vetëm mediatik.
Kadyrov, nga ana e tij, ka pohuar se ai nuk mund të “qëndronte larg një mashtrimi në shkallë të gjerë” dhe do të bëjë “çdo gjë të mundshme” për të ndihmuar në kthimin e Tatyana Bakalchuk në familje dhe “mbrojtjen e biznesit legjitim”.
Një ish-mësuese anglishteje dhe nënë e shtatë fëmijëve, Bakalchuk nisi biznesin e saj të tregtisë elektronike në 2004. Pasuria e saj arrin në 7.4 miliardë dollarë, sipas Forbes, që e rendit shefen e “Wildberries” si gruan më të pasur në Rusi.