Vendosni fjalën kyçe....

Ish-presidenti Topi: Marrëveshja e sotme Rama-Berisha vijim i asaj të vitit 2008, demokracia po lëngon


Ish-presidenti Bamir Topi tha mbrëmjen e sotme se demokracia në vend po lëngon.

I ftuar në emisionin Repolitix në Report Tv, ish-kreu i shtetit e etiketoi si të kalcifikuar politikën në vend, që nuk po jep asnjë mundësi për diçka të re.

Topi e quajti një vijim të marrëveshjes Rama-Berisha të vitit 2008 edhe marrëveshjen për reformën zgjedhore të arritur sot mes palëve.

“Jemi në një situatë kur politika është e kalcifikuar. Nuk të jep shans për diçka të re. Vjen gjithmonë edhe forcohet, reduktohet dhe nuk jep shanse për zgjidhje që shpreson nga të gjithë. Politika është një lëvizje dinamike. Në Perëndim ka gjithmonë lëvizje, rotacion, ardhje kandidaturash. Nga pikëpamja e fizionomisë nuk ngjajnë fare me atë që ndodh në Shqipëri. Këtu prej kohësh nuk është folur për reformë zgjedhore. Shumë gjëra mund të jenë realizuar edhe underground. Prodhimi është i dobët shumë. Do e konsideroja si një vijim të situatës së 2008. Duket sikur përsëris të njëjtin refren. Është ajo çka është krijuar në 2008 për të ardhur në këtë situatë. Janë të emëruar, duke iu referuar 2008. Forcimi i roleve të kryetarëve të partive, forcohet bipolarizmi. Ka parti të reja politike që nuk e gjejnë veten tek ky kod. Një demokraci që prodhohet direkt nga vullneti i kryetarëve të partive. Demokracia lëngon. Demokracia prodhon frymë, prodhon individë, institucione dhe rikthehet si një benefit për njerëzit që e dëshirojnë demokracinë.” – tha Topi.