Nigeria ka goditur gjigantin e teknologjisë amerikane Meta me një gjobë prej 220 milionë dollarësh për shkeljen e ligjeve lokale për mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë, njoftoi të martën agjencia e mbrojtjes së konsumatorit të vendit të Afrikës Perëndimore.
Hetimet zbuluan se politikat e Meta-s u mohojnë përdoruesve nigerianë të drejtën për të ndaluar pëlqimin për mbledhjen, përdorimin dhe shpërndarjen e të dhënave personale, tha shefi i Komisionit Federal të Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (FCCPC), Adamu Abdullahi. Meta është kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp.
Sipas Abdullahi, hetimi 38-mujor, i kryer në bashkëpunim me Komisionin e Mbrojtjes së të Dhënave të Nigerisë (NDPC), filloi në vitin 2021 pasi WhatsApp përditësoi politikën e tij të privatësisë.
“Kemi zbuluar se kur regjistroheni për herë të parë për t’u bashkuar me WhatsApp, ekziston një kolonë që thotë se keni rënë dakord që të dhënat tuaja të ndahen për kërkime. Kjo është në kundërshtim me aplikacionet e tjera ku ju keni zgjedhjen të thoni po ose jo, kështu që është diskriminuese,” tha ai.
Në një urdhër të datës 18 korrik, komisioni udhëzoi Meta që të rivendoste menjëherë të drejtat e përdoruesve nigerianë për të “kontrolluar përdorimin, përpunimin, ndarjen ose transferimin e të dhënave të tyre”.
Për më tepër, ajo duhet “të ndërpresë lidhjen dhe transferimin e të dhënave nga tregu i saj WhatsApp në tregun e saj të Facebook dhe shërbimet e palëve të tjera të treta pa pëlqimin e shprehur të kërkuar dhe marrë lirisht nga subjektet e të dhënave”.
Qeveria i ka dhënë Metës 60 ditë kohë për të paguar dënimin prej 220 milionë dollarësh për shkeljen e ligjeve të privatësisë, si dhe për të rimbursuar 35 mijë dollarë shtesë për koston e hetimeve.
Meta nuk është përgjigjur ende publikisht për akuzat.