Banorët e Fushë-Krujës, Krujës dhe fshatrave përreth kanë dalë në protestë në rrugën e sapondërtuar Thumanë-Kashar.
Ata kanë deklaruar se u janë bllokuar hyrjet dhe daljet ndërsa përveç lëvizjeve të përdtishme ata kanë pretenduar se mbylljet e hyrje-daljeve të rrugës së vjetër të Fushë Krujës po u falimenton bizneset.
“Kanë vjedhur miliarda. Vënë traun këtu për t’ia dhënë Bashkim Ulajt. Duan t’i japin lekë një individi e penalizojnë Krujën. Për një Bashkim Ulaj penalizohen 100 mijë banorë nga Kamza deri në Vorë. Rruga e re Thumanë-Kashar ka bërë që shumë biznese tonat, të shkojnë drejt falimentimit. Ne nuk kemi akses në rrugën Thumanë-Kashar. Na kanë bllokuar hyrje-daljet në rrugë”, kanë thënë protestuesit.
Ndërsa një tjetër protestues ka thënë se u janë bllokuar hyrje-dlajet me Tiranën.
Rruga Thumanë-Kashar u përurua me bujë para pak javësh nga kryeministri Rama, ministrja e Infrastrukturës Balluku dhe ajo e Turizmit Kumbaro. Që në ditën e parë ajo u bllokua pas problemit me sportelet.
Fillimisht u tha se tarifa e kalimit në të ishte 2.1 euro më pas u tha se tarifa ishte 270 lekë të reja ndërsa Ministria e Infrastrukturës tha se sistemi i pagesës ende po kolaudohej.