Vendosni fjalën kyçe....

Alibeaj:  Marrëveshja Rama-Berisha për listat e deputetëve pazar për t’i dhënë kryeministrit mandatin e katërt


Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar pazar mes Ramës dhe Berishës atë për Reformën Zgjedhore, qëndrim të cilin e mbrojti me forcë edhe gjatë ditës së djeshme gjatë dhe pas arritjes së marrëveshjes.

I ftuar në emisionin Studio Live në Report Tv, demokrati tja se Rama e Berisha kanë të njëjtën hall që detyrohen të fshehin deputetët në listën që do përzgjidhet prej tyre.

Ai tha se formula e miratuar do bëjë që të zgjidhen deputetë ata që lëpihen më shumë kryetarit të partisë. Alibeaj tha gjithashtu se marrëveshja e djeshme është pazar i pastër për t’i dhënë kryeministrit Rama mandatin e katërt në tavolinë.

“Ndarja në 12 qarqe dhe aplikimi i formulës aktuale për shpërndarjen e mandateve i jep mundësinë partisë më të madhe që ka mundësi të marrë mandatin e fundit, të 36 në Tiranë, 14 në Durrës, 3 në Kukës etj. LSI në 2021 mori 100 e ca mijë vota dhe mori 3 mandate, PSD mori 33 mijë vota dhe mori 3 mandate. PD është më e dobët se në 2021. Duhej të riktheheshin koalicionet parazgjedhore. Bylykbashi erdhi me flamurin e madh që do i kërkojmë, por duhej bërë një ndryshim kushtetues, dje në komision askush nuk përmendi koalicionet parazgjedhore. Mënyra e dytë ishte vetëm me ndërhyrje ligjore, Shqipëria 1 zonë, ose deri në 4 zona. Kjo do ta kthente në një proporcional pothuajse kombëtar dhe do eliminonte përfitimin e këtyre mandateve qyl. Zgjidhet deputet ai që ka qenë lëpirësi i kryetarit. Kush janë ata deputetë që iu fshihen shqiptarëve. Gjysmën e deputetëve Rama i ka me dosjen e SPAK, s’kuptoj hallin e Berishës me shokë. Kjo është tallja më e madhe që është bërë me këtë sistem. Nxjerr jashtë loje të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre, me këtë sistem ke vendosur një perde të madhe ligjore. Dje s’ka qenë pazar vetëm për kodin zgjedhur, por për t’i dhënë Ramës mandatin e katërt në tavolinë”, tha Alibeaj.