Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha mblodhi sot grupimin e Demokratëve Euroatlantikë duke lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Rama dhe kreut të PD-së Sali Berisha për marrëveshjen e reformës zgjedhore, të cilën e quajti pazar të radhës.
Ai tha se Rama e Berisha janë ortakë në kulla e oligarkë, media po edhe në politikë.
“Shumë po ndërgjegjësohen se ata që thonë kapeni hajdutin, janë hajdutët e vërtetë. Ata që na kanë akuzuar si bashkëpunëtor, janë jo vetëm ortakë në kulla, jo vetëm në oligarkë, jo vetëm në media, por tashmë edhe ortakë për të shkrirë në një PS dhe Rithemelimin, në pikën fillestare të big bangut të Katovicës, para se Ramiz Alia të ndante këtej spiunët e sigurimit, këtej oficerët e sigurimit. Nuk mban uji pilafi për ta. Vazhdonin teatrin opozitar, pasuri të vëna në kurriz të shqiptarëve. Për ta zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë për të vendosur si do jetë Shqipëria, për të mbrojtur interesin e shqiptarëve. Janë oportunitet për mburojë politike kundër SPAK, kundër përpjekjes mbarë kombëtare me ndihmë euroatlantike. Deputetë që nuk i voton as shtëpia e vet. Nga njëra anë të korruptuarit e PS, nga ana tjetër këta që kanë shitur kauzat e PD. Shumë të tjerë në hetim nga SPAK, kanë vjedhur votat e demokratëve. Janë arrestuar, dënuar, për vjedhje me tendera, vjedhje votash. Të gjithë zyrtarët e Edi Ramës të liruar me votat e Berishës dhe ndjekësve. Ndërkohë mbahen brenda protestuesit tanë që dolën kundër korrupsionit të Edi Ramës. Kjo ishte pjesa e parë e pazarit më keq se pazarit.” – tha Basha.