Vendosni fjalën kyçe....

Basha publikon amendamentin për hapjen 100% të listave


Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar amendamentin e dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon hapjen 100% të listave.

Basha theksoi se opozita e ka denoncuar me kohë pazarin politik që po pengon reformën zgjedhore dhe shpërndarjen e drejtë të deputetëve.

Ai akuzoi Kryeministrin Rama dhe liderin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, se po tentojnë të mbajnë përkrah tyre deputetë që shërbejnë vetëm interesave të tyre dhe jo atyre të qytetarëve.

Basha kritikoi këta liderë për sabotimin e reformës dhe mbylljen e listave, duke theksuar se ata nuk duan të ndryshojnë sistemin për të përmirësuar përfaqësimin e qytetarëve.

Ai propozoi një amendament që i jep mundësi partive të zgjedhin midis listave të hapura dhe atyre të mbyllura, duke e cilësuar këtë si një mundësi për të fuqizuar votën e qytetarëve dhe për të ndaluar riciklimin e marrëveshjeve të vjetra.

Në përfundim, Basha i bëri thirrje deputetëve të mbështesin amendamentin për të sjellë ndryshime reale dhe për të përmirësuar sistemin zgjedhor në Shqipëri, duke i dhënë më shumë dinjitet dhe përfaqësim qytetarëve.

“I ekspozuam për pazarin me amnistinë, dhe koha na dha të drejtë.

I ekspozuam për pazarin për sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, dhe koha na dha të drejtë.

I ekspozuam për pazarin për mbylljen e listave, dhe koha na dha të drejtë.

Rama dhe Berisha nuk duan Reformë Zgjedhore, sepse kërkojnë të mbajnë rreth vetes një tufë deputetësh që i shërbejnë interesave të tyre dhe halleve që kanë me drejtësinë, jo qytetarëve.

Ne e refuzojmë me forcë këtë pazar, prandaj kam depozituar një amendament përmes të cilit ju jepet mundësia deputetëve që duan realisht lista të hapura dhe neverisin këtë mynxyrë, të votojnë për të pasur lista 100% të hapura.

Përmes këtij amendamenti u japim mundësi partive të zgjedhin nëse duan të përdorin listat e hapura, apo listat e mbyllura, e jo t’i nënshtrohen në mënyrë të detyrueshme pasojave të allshiverishit të atij që ka shpallur revolucion, por është ulur në prerin e Ramës, dhe atij që deklaron se nuk bashkëpunon me non gratat, por bashkon vota me Berishën sa herë ua do halli i përbashkët.

Nëse brenda bunkerëve anti-SPAK të Ramës dhe Berishës duan të vendosen në rresht për t’i shërbyer atyre dhe jo qytetarëve, le të ngrenë dorën dhe të ulin kokën për të votuar riciklimin e marrëveshjes së 2008-ës.

Por, nëse duan realisht që gjërat të ndryshojnë e të fuqizojnë votën e qytetarëve duke i’u dhënë dinjitet, autoritet dhe përfaqësim deputetëve, të mbështesin këtë amendament.

Shqipëria meriton më shumë.”