Apeli GJKKO-së ka rikthyer në qeli biznesmenin Ervis Lami, pasi më 14 qershor Gjykata e Posaçme kishte zbutur masën e sigurisë duke e lënë nga arrest në burg në arrest shtëpie.
Në vendimin e shpallur sot, më 25 korrik 2024, gjyqtarja Saida Dollani vendosi ndryshimin e vendimit të mëparshëm dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” për Lamin, në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ky vendim shfuqizon vendimin e datës 13 qershor 2024, duke rikthyer Lamin në masën e mëparshme të sigurimit.
Ervis Lami, administronte firmën ‘DAAM’, e cila sipas SPAK ishte në pronësi të kreut të ARRSH-së Evis Berberi. SPAK thotë se përfitimi i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro të cilat përmes kompanisë ‘DAAM’ shpk. janë investuar në pasuri të paluajtshme.
‘Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 25.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 160 akti, datë 17.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 312, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ndaj shtetasit nën hetim E.L., disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 312, datë 13.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pikën e disponimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal si më poshtë: Vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 21, datë 13.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim E.L.’- njofton Apeli i GJKKO-së.
Berberi dhe 2 biznesmenët u arrestuan mbrëmjen e 13 marsit 2024 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. SPAK po heton Berberin për “Korrupsion” dhe “Pastrim parash” ndërsa dy biznesmenët për korrupsion aktiv dhe pastrim parash.