Ismael “El Mayo” Zambada, kreu i kartelit Sinaloa, një prej karteleve më të fuqishme të drogës në Meksikë dhe mbarë botën, është arrestuar nga autoritetet amerikane në El Paso, Teksas.
Bashkë me të është ndaluar edhe Guzman Lopes, djali i ish-partnerit të tij Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në SHBA pesë vite më parë dhe po e vuan atje dënimin.
El Mayo dhe El Chapo kanë qenë bashkëthemeluesit famëkeq të kartelit.
Ndërsa El Chapo kultivoi median dhe arriti një status të famshëm global. Zambada García, përkundrazi, ka qenë gjithmonë një figurë kriminale më e qetë dhe sipas modelit të vjetër. Ai ka bërë një jetë të thjeshtë, pothuajse prej fshatari në kompleksin e tij në Sinaloa, i njohur si El Alamo.

El Mayo
Kush është El Mayo Zambada
El Mayo Zambada akuzohet si bashkëthemeluesi dhe tashmë kreu de facto i kartelit Sinaloa. Ai është 76 vjeç dhe gjatë gjithë karrierës së tij kriminale, nuk është arrestuar asnjëherë nga autoritetet.
El Mayo Zambada është një nga trafikantët e fundit të drogës nga garda e vjetër, brezi që doli nga i ashtuquajturi Karteli Guadalajara, i cili drejtohej nga Miguel Ángel Félix Gallardo, Ernesto Fonseca Carrillo dhe Rafael Caro Quintero.
Zambada García lindi më 7 janar 1948, në Sinaloa. Ndryshe nga udhëheqës të tjerë të mëdhenj kriminalë si Joaquín ‘El Chapo’ Guzmán ose Nemesio Oseguera Cervantes, Mayo Zambada nuk është arrestuar kurrë.
Së bashku me Juan José Esparragoza Moreno, i njohur ndryshe si ‘El Azul’, Mayo ka qenë një nga drejtuesit më të vështirë të trafikut të drogës për t’u gjurmuar nga autoritetet. Ashtu si ‘El Azul’, edhe Ismael Zambada ka preferuar të mbajë një profil të ulët.
Në vitin 2010, Mayo Zambada i dha një intervistë gazetarit Julio Scherer, në të cilën ai rrëfeu se pothuajse kurrë nuk flinte në të njëjtin vend dhe qëndronte i sigurt në male.
“Shkretëtira është shtëpia ime, familja ime, mbrojtja ime, toka ime, uji që pi. Toka është gjithmonë e mirë, qielli jo”, i tha Mayo themeluesit të revistës Proceso.
Ai gjithashtu ka rrëfyer “panikun” e tij për burgosjen e mundshme.
Shumë spekulime rrethojnë Mayo Zambada: se është i sëmurë, se ka diabet, madje edhe se tashmë ka vdekur. Në intervistën që i dha Scherer-it, kreu i kartelit Sinaloa pranoi se për të janë thënë shumë gënjeshtra. Një prej tyre është se ai supozohet se ka orkestruar arratisjen e El Chapo Guzman nga Puente Grande.
“El Chapo Guzmán dhe unë jemi miq, shokë dhe flasim shpesh në telefon. Por kjo histori nuk ndodhi kurrë. Është një tjetër gënjeshtër e fiksuar mbi mua. Ashtu si shpikja se po planifikoja një sulm ndaj presidentit të Meksikës. Nuk do ta mendoja kurrë një gjë të tillë.”
Aktualisht, Mayo është 69 vjeç dhe tre nga dhjetë fëmijët e tij janë në burg.
Vicente Zambada Niebla, ‘El Vicentillo’, u arrestua në vitin 2009 nga ushtria meksikane dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara në 2010.
Në nëntor 2013, Serafín Zambada u kap dhe një vit më vonë, Ismael Zambada Imperial, alias ‘El Mayito Gordo’, u arrestua gjithashtu; të dy janë të ndaluar në Shtetet e Bashkuara.
Ndryshe nga babai i tyre, i cili ka mbajtur gjithmonë një profil të ulët gjatë gjithë karrierës së tij kriminale, si Serafín ashtu edhe ‘El Mayito Gordo’ janë pjesë e brezit të narko juniorëve dhe ‘buchones’ që duan të shfaqin luksin dhe ekseset e tyre në mediat sociale.

Avioni me të cilin fluturuan El Mayo dhe Joaquin Guzman
Operacioni i arrestimit, dyshimet, si u josh El Mayo
Sipas autoriteteve amerikane, dyshja u josh nga agjentët federalë për të hyrë në territorin amerikan. Zyrtarët thanë se ai Zambada fluturoi për në Shtetet e Bashkuara pasi u josh në një aeroplan privat me pretekst të rremë nga Guzmán López. Operacioni për të kapur Zambadan dhe bindjen e tij për të fluturuar drejt SHBA-së ishte tejet delikat dhe i fshehtë ndërsa për këtë u përdor një pretekst i rremë, sipas dy agjentëve të DEA-s të njohur me komplotin.
Zambada dhe Guzman Lopez hipën në një aeroplan që supozohet se po udhëtonte për të inspektuar një pronë në Meksikë, thanë burimet, duke shtuar se të paktën njëri prej tyre nuk ishte në dijeni se ishin nisur për në SHBA. Më pas agjentët e FBI-së i arrestuan dy bosët e drogës pasi ata zbarkuan në El Paso, Teksas.
Ndërsa vendndodhja e Zambadas është sekrete, sipas CNN se një avion i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së i përdorur shpesh për ekstradime udhëtoi nga El Paso dhe u ul në një aeroport afër Çikagos herët mëngjesin e së premtes.
I njohur si pragmatist, Zambada García ka qenë në kontakt me zyrtarët federalë amerikanë prej të paktën tre vjetësh, duke diskutuar kushtet e dorëzimit të tij të mundshëm, sipas pesë personave të informuar për këtë çështje.
Por të enjten, ai nuk ishte në dijeni se ishte nisur për në Shtetet e Bashkuara kur hipi në një aeroplan privat. Zambada García ka pasur prej kohësh një lloj marrëdhënieje atërore me Joaquin dhe Ovidio Guzmán López, dy djemtë më të vegjël të El Chapos. Joaquin Guzmán López po kërkonte të ndihmonte të vëllanë Ovidion, i cili është i kapur nga autoritetet amerikane në kohën kur ftoi Zambada García në aeroplan, thanë zyrtarët.

Ushtarët duke kaluar pranë një automjeti të shkatërruar vitin e kaluar në Jesus Maria, Meksikë, pasi Ovidio Guzmán López u ndalua në qytetin e vogël
Akuzat
Si Zambada ashtu edhe Guzman Lopez përballen me disa akuza për drejtimin e operacioneve kriminale të kartelit, përfshirë “rrjetet e tij vdekjeprurëse të prodhimit dhe trafikimit të fentanilit”, tha Kryeprokurori i SHBA-së Garland.
“Fentanili është kërcënimi më vdekjeprurës me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do ndalet derisa çdo udhëheqës i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e amerikanëve të përgjigjet para ligjit”, shtoi Garland.
Autoritetet amerikane kishin kërkuar kapjen e Zambadës për vite me radhë dhe në vitin 2021 e ngritën shpërblimin për informacionin që çonte në arrestimin e tij në 15 milionë dollarë.
“Ismael Mario Zambada Garcia është kreu për një kohë të gjatë i fraksionit Zambada Garcia të Kartelit Sinaloa. Zambada Garcia është unik pasi e ka kaluar gjithë jetën e tij të rritur si një trafikant i rëndësishëm droge, megjithatë ai nuk ka kaluar kurrë një ditë në burg,” sipas Departamentit të Shtetit.
Drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se Zambada dhe Guzman Lopez “i kishin shpëtuar zbatimit të ligjit për dekada” dhe “tani do përballen me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara”.
“Dyshja dyshohet se mbikqyrte trafikun e “dhjetëra mijëra tonelatave kokaine, heroinë, metamfetaminë dhe fentanil në SHBA së bashku me dhunën që ka shoqëruar operacionet”, shtoi Wray.
Shefja e DEA-s Anne Milgram tha se arrestimet e dyshes godasin fort “në zemër të kartelit që është përgjegjës për shumicën e drogës, përfshirë fentanilin dhe metamfetaminën, që vrasin amerikanët nga njëri cep i vendit në cepin tjetër “.

Grafitet e Ismael “El Mayo” Zambada García dhe grupit kriminal “Cartel de Sinaloa” në fshatin Palmas Altas, Meksikë, në vitin 2022
Karteli i fuqishëm
Karteli Sinaloa, i emërtuar sipas shtetit meksikan ku është themeluar banda në fund të viteve 1980, është një nga grupet kriminale më të fuqishme në botë, që grumbullon miliarda dollarë në vit duke trafikuar drogë në SHBA dhe në mbarë globin.
Bosi famëkeq i kartelit Guzman, i njohur më mirë si “El Chapo”, u arrestua në Guatemalë në vitin 1993 me akuza për vrasje dhe drogë dhe u ekstradua në Meksikë. Por ai u arratis nga burgu meksikan në vitin 2001, duke korruptuar rojet e burgut për ta nxjerrë jashtë me një kamion lavanderie. Ai u arrestua sërish në vitin 2014, por u arratis sërish, këtë herë përmes një tuneli.
Guzman u arrestua për herë të tretë në vitin 2016 dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara.
Ai u dënua nga një juri federale në Bruklin në vitin 2018 dhe u dënua me burgim të përjetshëm plus 30 vjet, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Guzman u shpall fajtor për 10 akuza penale federale, të cilat përfshinin pjesëmarrje në sipërmarrje kriminale të vijueshme, komplot për pastrimin e të ardhurave nga kokaina, shpërndarje ndërkombëtare të kokainës, heroinës dhe marihuanës dhe përdorimin e armëve të zjarrit.
Gjatë gjyqit, avokatët e Guzman argumentuan se Zambada ishte mbreti i vërtetë i kartelit që korruptoi qeverinë meksikane dhe vetë mbetii lirë për të drejtuar organizatën kriminale.
Ndërsa El Chapo kultivoi median dhe arriti një status të famshëm global. Zambada García, përkundrazi, ka qenë gjithmonë një figurë kriminale më e qetë dhe sipas modelit të vjetër. Ai ka bërë një jetë të thjeshtë, pothuajse prej fshatari në kompleksin e tij në Sinaloa, i njohur si El Alamo.
Zaambada përballet me akuza të shumta penale në SHBA. Ai u akuzua në shkurt për komplot për prodhimin dhe shpërndarjen e fentanilit, një opioid sintetik jashtëzakonisht i fuqishëm që ka vrarë dhjetëra mijëra amerikanë në një epidemi mbidozash.
“Fentnili ishte kryesisht i padëgjuar kur Zambada themeloi Kartelin Sinaloa më shumë se tre dekada më parë kurse sot është shkaku kryesor për dëme të pallogaritshme,” tha Breon Peace, Prokurori i SHBA për Distriktin Lindor të Nju Jorkut, në një aktakuzë.
Që nga viti 1989, Zambada ka importuar dhe shpërndarë “sasi të mëdha narkotikësh”, duke përfituar miliarda dollarë, sipas aktakuzës.
Prokurorët federalë thanë se ai punësoi njerëz për të gjetur “rrugë transporti dhe magazinimi” për të importuar dhe ruajtur lëndët narkotike, si dhe vrasës me pagesë, siç njohet ndryshe “sicarios”, për të kryer rrëmbime dhe vrasje në Meksikë duke u hakmarrë kundër rivalëve që kërcënuan kartelin”.

Djali i E lMayos, Vicente Zambada Niebla u arrestua në Mexico City në vitin 2009
Dëshmia e djalit të El Mayos në gjyqin ndaj El Chapos në SHBA
Djali i Zambada-s, Vicente Zambada Niebla, pranoi gjatë dëshmisë në gjyqin e “El Chapos” në vitin 2018 se kishte përcjellë urdhra për vrasje dhe rrëmbime dhe u dënua me 15 vjet në vitin 2019 nga një gjykatës federal në Çikago.
Ai filloi bashkëpunimin me qeverinë amerikane në vitin 2011, thanë prokurorët në një dosje në maj 2019. Ata thanë se ai ndihmoi autoritetet për të mundësuar shënjestrimin e anëtarëve të kartelit Sinaloa dhe një bande rivale, të cilat çuan në “akuzën e dhjetëra personazheve të nivelit të lartë dhe qindra bashkëpunëtorëve të tyre.
Në gjyq, Zambada Niebla tregoi si funksiononte nga brenda perandoria e kartelit, duke përshkruar sesi babai i tij kishte ndihmuar në trafikun e tonelata droge përmes një rrjeti të gjerë rrugësh kontrabande dhe skemash të pastrimit të parave. Buxheti i babait të tij për ryshfet ishte deri në 1 milion dollarë në muaj, tha ai, dhe përfshinte pagesa për një oficer ushtarak që dikur shërbente si roje personale për ish-presidentin e Meksikës, Vicente Fox.
Djali i El Mayos, Vicente Zambada e kishte njohur “El Chapon” që kur ishte 15 vjeç dhe dëshmoi në gjyqin e tij në vitin 2018. Më i riu Zambada shpesh i referohej “El Chapos” si “mi compadre” ose “shoku im” gjatë dëshmisë së tij dhe tha se bosi i drogës ishte kumbari i djalit të tij më të vogël.
Një histori e ashpër dhune
“El Mayo” Zambada u padit gjithashtu nga një juri e madhe federale e SHBA-së në prill 2012, në Teksas, së bashku me drejtues të tjerë të dyshuar të lartë të Sinaloa-s dhe 22 persona të dyshuar të lidhur me kartelin, duke përfshirë Guzman. Ata akuzohen për vrasje dhe konspiracion të lidhur me trafik droge, pastrim parash dhe krim të organizuar.
Asokohe, Guzman dhe Zambada ishin paditur tashmë për trafik droge dhe krim të organizuar në disa gjykata federale të SHBA-së.
Aktakuza e vitit 2012 në Teksasin perëndimor detajonte dy akte dhune që prokurorët federalë thanë se ishin kryer nga anëtarë të kartelit; njëri u zhvillua gjatë një ceremonie martese të vitit 2010 në Ciudad Juarez, kur një shtetas amerikan dhe dy anëtarë të familjes së tij u rrëmbyen për shkak të lidhjeve të tyre me kartelin rival Juarez.
Objektivi ishte dhëndri dhe një banor i Neë Mexico, trupi i të cilit u gjet i dhunuar, i mbytur dhe duart e të cilit ishin “prerë mbi kyçet e dorës dhe vendosur në gjoks”, sipas aktakuzës.
Policia gjeti trupat e dhëndrit, vëllait të tij dhe xhaxhait të tij tre ditë pas dasmës në karrocerinë e një kamioni, thuhet në aktakuzë.
Një tjetër incident i detajuar në aktakuzë në lidhje me rrëmbimin, vrasjen dhe gjymtimin e një banori të Teksasit në vitin 2009 “për t’u përgjigjur për humbjen e një ngarkese prej 300 kilogramësh me marijuanë të sekuestruar nga Patrulla Kufitare”, thanë prokurorët.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times, CNN e Merca
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani