Vendosni fjalën kyçe....

Filmi artistik shqiptar “Partizani i vogël Velo” premierë 4K në DPA


Në ekranin e Kinemasë Verore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) u shfaq për herë të parë në cilësinë maksimale të figurës një prej filmave ikonikë të kinematografisë shqiptare, “Partizani i vogël Velo”.

Në praninë e Drejtorit të Përgjitshëm të Arkivave, Z. Ardit Bido, Drejtoreshës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Znj. Marinela Ndria, dhjetëra studentëve, nxënësve, veteranëve dhe përfaqësuesve të Shoqatës së Dëshmorëve të Atdheut, DPA-ja ekranizoi filmin e radhës që rrëfen përpjekjet e shqiptarëve për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashist.

Në këtë aktivitet, mori pjesë edhe një prej aktorëve protagonistë të filmit, Z. Eduart Çala, i cili në fjalën e tij të rastit, e vlerësoi këtë nismë si të rëndësishme në fushën e kulturës vendase.

“Partizani i vogël Velo” i regjisores Xhanfise Keko në vitin 1980 është realizimi i katërt kinematografik që transmetohet në Kinemanë Verore pranë DPA-së, si pjesë e repertorit të filmave të përzgjedhur për t’u shfaqur në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit.

Me rastin e këtij përvjetori jubilar, DPA-ja ka shprehur angazhimin që përmes një sezoni të ngjeshur artistik, të inkurajojë të rinjtë të njohin të kaluarën historike të Shqipërisë.

Në vazhdën e kësaj nisme, që gëzon bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), do të shfaqen në Kinemanë Verore të DPA-së të tjera realizime filmike, në shenjë përkujtese të betëjës së të parëve për liri. Në mesin e filmave që do të shfaqen deri në mbyllje të këtij sezoni në muajin nëntor, gjenden titujt: “Mëngjese lufte”, “Yjet e netëve të gjata”, “Njeriu me top”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Malet me blerim mbuluar”, “I teti në bronz”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”.

Për ndjekjen e secilit prej filmave, të interesuarit duhet të kryejnë rezervimin falas të ulëses së tyre, duke iu drejtuar adresës teater.arkiva.gov.al. Në këtë faqe, nevojitet të kryhet përzgjedhja e filmit, si edhe depozitimi i gjeneraliteteve (emër dhe mbiemër) dhe i postës elektronike.