Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku, gjatë diskutimeve në Kuvend mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, deklaroi se këto ndryshime do të çojnë në humbjen e opozitës në zgjedhjet e vitit 2025. Ai theksoi se këto ndryshime vetëm sigurojnë riciklimin e Qeverisë më të korruptuar dhe më të inkriminuar.
“Përsa kohë ne jemi të përçarë, socialistët do të përfitojnë nga konflikti ynë. Atëherë pse mos jetë ky moment që ne të bashkohemi dhe të votojmë kundër këtyre ndryshimeve?” pyeti Çollaku.
Ai fajësoi opozitën për situatën e krijuar dhe shtoi se mazhoranca socialiste po shfrytëzon këtë përçarje. Çollaku theksoi se socialistët nuk kanë votat e mjaftueshme për të miratuar ndryshimet vetëm dhe opozita nuk duhet t’u japë mundësinë për ta bërë këtë.
“Ne duhet të mendojmë për ata që do të vijnë pas nesh, pas zgjedhjeve të 2025-ës, që të kenë mundësinë të mposhtin këta që janë sot në pushtet. Me këtë Kod, është e pamundur që ata të munden,” përfundoi ai.