Nga Rezarta Çaushaj
Ekuacioni PD-Meta-Ahmetaj mund të prodhonte ar, nëse opozita vërtetë do të synonte ta përdorte për interesin publik.
Dezertimi i Ahmetajt prodhoi disa të mira vetvetiu, siç ndodh në çdo rast që pushteti i madh ndahet e coptëzohet.
Unë e kam quajtur lëvizje të zgjuar të opozitës tërheqjen e Ahmetajt në parim dhe i qëndroj kësaj.
Por, nëse Arben Ahmetaj do të kishte ndërmend të rrëfente e jo të bënte pazare për të shpëtuar kokën e vet, do ta kishte hapur barkun me kohë e do ta kishte kopsitur një marrëveshje me Prokurorinë bash nën hundën e Ramës.
Më keq, nëse PD-ja do të kishte për zemër interesin publik (e madje, edhe interesin partiak) e jo t’a përdorte informacionin e Ahmetajt si garanci për të mbrojtur veten, që të bëjnë pazare Meta-Berisha për pisllëqet e tyre, do të kishte arritur të merrte rrëfim të plotë.
A e keni idenë se sa shumë di Ahmetaj, për qeverinë pjesë e të cilës ka qënë, për parinë e vendit – ku bën pjesë edhe opozita,- për të gjitha llojet e pazareve që janë bërë, por edhe ato që vazhdojnë edhe bëhen?
A e keni idenë?!
Me atë lloj informacioni në dispozicion, Ahmetaj e dëshifron Ramën e enturazhin e tij duke lexuar në internet.
Ky është edhe problemi më i madh i Ramës: Ahmetaj nuk mund të flasë për pazare të vjetra pa kompromentuar veten, POR mund të flasë për pazaret e reja.
Sepse ai njeh terrenin, njej njerëzit, njeh interesat, njeh motivet. Kaq duhet, që të të dal ekuacioni!
Ahmetaj mund ta rrëzoj gjithë sistemin po të dojë, jo vetëm qeverinë.
Po as PD e as Ahmetaj s’kanë plane të tilla.
Ata kanë në plan që Rama të vazhdojë në pushtet, mjafton që t’i lejoj të gjithë t’i gëzohen plaçkës që i kanë vjedhur shqiptarëve.
Mos prisni shumë nga Ahmetaj.
Mund të dal të jap ndonjë fakt të izoluar, edhe sensacional në dukje, por nuk ka për t’i bërë asnjë dëm Ramës në skemën e madhe të gjërave.
Mos më keqkuptoni!
Unë i gëzohem pafund paranojave të Ramës mbi Ahmetajn dhe çfarëdolloj dëmi ky i fundit bën nga mërgimi, por kur kujtoj kullat; faktin që LSI-ja në qeveri me PS-në në 2016 e ministrin në burg nuk lidhet me aferën e incineratorëve; mbrojtjen fantastike që PD-ja u bën oligarkëve apo shoqërinë e famshme Çim Peka – Erion Veliaj – Shkëlzen Berisha, i lexoj ngjarjet me një filxhan çaji në buzë e njëfar cinizmi në qelizat e trurit.
Mund t’i bëjnë skemat si të duan, por janë lakuriq!