11 emigrantë ilegalë nga vendet arabe ishin marrë peng dhe mbaheshin në kushte robërie në territorin malazez. Ata u liruan ditën e sotme, pas një punë operacionale të Policisë Shqiptare dhe asaj të Malit të Zi.
Policia e Shtetit shqiptar ka luajtur një rol kontribues kryesore për finalizimin e operacionit ndërkombëtar të koduar “Kidnapping”. Informacionet e siguruara nga Policia e Shtetit shqiptar dhe të shkëmbyera nëpërmjet Europol, me Policinë malazeze, mundësojnë gjetjen dhe lirimin e 11 emigrantëve arabë, të cilët ishin marrë peng.
Pengmarrësit, emigrantë afganë, 2 prej të cilëve të arrestuar në Mal të Zi, i mbanin pengjet në një territor malor në Mal të Zi, nën kërcënimin e armëve, dhe kërkonin 50 000 euro për t’i liruar.
Policia Shqiptare ka siguruar informacione për vendndodhjen e këtyre shtetasve dhe për elemente të tjera që çuan në identifikimin e autorëve.
Informacionet u shkëmbyen nëpërmjet Europolit, me partnerët malazezë, të cilët angazhuan shërbimet e tyre policore dhe ushtarake, krehën zonën dhe mundësuan lokalizimin dhe kapjen në Mal të Zi, e 2 prej autorëve të rastit, emigrantë ilegalë nga Afganistani”, thote policia.
Nga hetimet dyshohet se këta dhe dy shtetas të tjerë janë të implikuar dhe në raste të tjera pengmarrjeje në të njëjtën zonë. Gjithashtu, u gjetën 11 emigrantët e marrë peng, të cilët ishin dhunuar nga shtetasit afganë.
Ministri i punëve të Brendshme, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me operacionin policor të përbashkët me Malin e Zi.
Postimi i plotë:
”Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Policia e Shtetit në bashkëpunim me Europol dhe Policinë e Malit të Zi, kanë përfunduar me sukses një operacion për gjetjen dhe lirimin e 11 emigrantëve të marrë peng nga një grup kriminal i përbërë nga shtetas afganë. Pengjet u gjetën në një territor malor në Malin e Zi, ku mbaheshin nën kërcënimin e armëve dhe dhunës”.