Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për 21 Janari dhe ia ka dërguar dosjen hetimore Prokurorisë së Posaçme.
SPAK do hetojë ’21 Janarin’, Gjykata e Lartë i kërkoi të sqarojë rolin e Bashës, Berishës dhe Prendit.
Aleks Nika është një nga 4 viktimat që humbën jetën nga plumbat e qëlluara nga godina e kryeministrisë, ngjarje e cila pas vendimit të Gjykatës së Lartë po hetohet tashmë nga Prokuroria e Posaçme. SPAK po heton kallëzimin e bërë nga familja Nika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesit të gardës Ndrea Prendi në orën 10:00.
Prokuroria e Posaçme po heton 21 janarin si vrasje shtetërore ndërsa akuzat regjistruara janë shumë të rënda: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim, “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim.
Akuza të ngritura pikërisht edhe pasi Gjykata e Strasburgut foli vjeshtën e kaluar dhe kërkoi zbardhjen e rolit të drejtuesve të institucioneve në vrasjet shtetërore, deri te Kryeministri i kohës, dhe sigurisht edhe qartësimin e rolit të tij për prishjen e provave dhe angazhimin e drejtpërdrejtë për pengimin e zbardhjes së ngjarjes.
Drejtësia shqiptare ka dhënë vetëm 4 vite burg në total për 2 jetë të ndërprera, Faik Myrtajn dhe Ziver Veizin, në mes të bulevardit në demonstratën e 21 janarit, duke i konsideruar ato vrasje nga pakujdesia.