Vendosni fjalën kyçe....

Orban sërish kritikon Perëndimin


Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sërish ka kritikuar Bashkimin Evropian gjatë një fjalimi në një qytet rumun, ku trumbetoi agjendën e tij nacionaliste, përfshirë edhe ofrimin e mbështetjes së plotë për ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Në fjalimin e 27 korrikut, që zgjati për pothuajse dy orë e gjysmë, Orban tha se vizita e tij në Rumani ishte pozitive dhe diskutoi me homologun e tij rumun për hekurudhën e re të shpejtë midis Bukureshtit dhe Budapestit dhe për anëtarësimin e Rumanisë në zonën pa viza, Schengen. Aktualisht, regjimi pa viza për Rumaninë vlen vetëm për udhëtimet ajrore dhe detare.

Gjatë fjalimit, Orban preku temat e njëjta që i ka promovuar si kryeministër.

Ai kundërshtoi politikat e disa vendeve perëndimore që promovojnë ose mbrojnë të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgjinorëve dhe mbështeti, ato që tha se ishin vlera të krishtera.

“Nuk ka moral publik në Perëndim. Këtë mund ta shihnit edhe në hapjen e Olimpiadës së Parisit”, tha ai duke iu referuar ceremonisë hapëse të një ditë më parë.

“Për dallim nga liberalët, ne duhet të ngremë një flamur rreth së cilit mund të mblidhen të guximshmit, nacionalistët dhe të krishterët e rinj”, tha ai.

Orban po ashtu akuzoi udhëheqjen e Bashkimit Evropian për një luftë të vazhdueshme – referencë e dukshme për mbështetjen e fortë të Brukselit për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Orban ka mbështetur Trumpin, i cili po garon si kandidat i republikanëve për zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit. Udhëheqësi hungarez, i cili u takua me Trumpin në Florida më herët gjatë këtij muaji, parashikoi fitoren e ish-presidentit në zgjedhjet amerikane.

Dhe nëse Evropa nuk ndryshon politikën e paqes deri atëherë, pas fitores [së Trumpit], Evropa, sipas Orbanit “do të duhet të pranojë humbjen e saj”.

Orban e mbajti këtë fjalim gjatë vizitës në qytetin e vogël të Tusnadit, që gjendet në një rajon të Rumanisë ku ka popullsi të madhe të hungarezëve etnikë.

Gjatë mandatit të tij si kryeministër, Orbani shpesh ka mbrojtur kauzën e hungarezëve etnikë që jetojnë në mbarë Evropën Lindore, shpesh duke antagonizuar grupet nacionaliste në vende të tjera, sikurse Ukraina.

Orban bëri thirrje për zgjerimin e politikave të Qeverisë së tij për mbështetjen dhe mirëqenien e fëmijëve, duke kërkuar që në këtë skemë mbështetëse të përfshihen edhe hungarezët etnikë që jetojnë në shtete të tjera.

Orban, vendi i të cilit aktualisht mban udhëheqjen e presidencës së BE-së, për vite të tëra ka pasur mospajtime me liderët e BE-së për shkak të shtypjes që Qeveria e tij i bën shoqërisë civile, mediave të pavarura dhe partive opozitare në Hungari.

Përveç me BE-në, ai ka pasur përplasje edhe me NATO-n, veçmas për shkak të afërsisë së tij me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe mosvullnetit të tij për të bërë më shumë për të ndihmuar Ukrainën, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022./REL