Vendosni fjalën kyçe....

Prostitucion, sherr, vjedhje, 9 të arrestuar në Tiranë, Durrës, Elbasan e Korçë


Dy gra janë arrestuar në Tiranë pasi akuzohen për prostitucion ndërsa dy të tjera janë proceduar në gjendje të lirë.

Ato janë ndaluar gjatë operacionit të koduar “Red Light” në një lokal në rrugën “Kastriotët”, Tiranë.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni policor i koduar “Red light”, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Shfrytëzonte disa shtetase për prostitucion, në lokalin e saj, arrestohet 52-vjeçarja. Arrestohet gjithashtu një shtetase tjetër për ushtrim prostitucioni si dhe procedohen penalisht 2 të tjera. Sekuestrohen 2 automjete, 2 aparate celulare dhe shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ndjekur me metoda speciale të hetimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Red light”.Në kuadër të këtij operacioni: u arrestua shtetasja L. S., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostiucionit”, dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”; u arrestua shtetasja M. B., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”; u proceduan penalisht shtetaset O. B., 34 vjeçe, dhe M. Dh., 19 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasja L. S., ka në menaxhim një lokal në rrugën “Kastriotët”, në të cilin mbante shtetaset M. B., O. B., dhe M. Dh., dhe i shfrytëzonte për prostitucion, me klientë të ndryshëm të lokalit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete, 2 aparate celulare dhe shuma parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë.”

Në Elbasan janë arrestuar pesë persona, ndërsa janë proceduar dy të tjerë. Një 39-vjeçar u ndalua pasi akuzohet për vjedhje ndërsa katër të tjerë për sherr me njëri-tjetrin pas një seance gjyqësore në Gjykatën e Elbsanit.

Njoftimi

“I vodhi çantën e dorës, një shtetasi, brenda së cilës kishte sende personale dhe 2 aparate celulare, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari .Sekuestrohen çanta me sendet personale, të cilat u gjetën të fshehura, gjatë kontrollit në banesën e 39-vjeçarit.Si rezultat i veprimeve hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas administrimit të kallëzimit të një shtetasi, se në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, i kishin vjedhur çantën e dorës, brenda së cilës kishte sende personale, kanë identifikuar, kapur dhe arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të këtij rasti, shtetasin:

E.L., 39 vjeç, banues në Elbasan.Nga veprimet hetimore 39-vjeçari, më datë 23.07.2024, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, i ka vjedhur çantën e dorës një 67-vjeçari, brenda së cilës kishte sende personale dhe 2 aparate celulare.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. L., gjetën të fshehura dhe sekuestruan çantën me sende personale, të 67-vjeçarit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja”.”

Njoftimi

“Oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Elbasanit arrestoi në flagrancë shtetasit D. M., 46 vjeç, E. M., 64 vjeç, G. M., 47 dhe F. K., 43 vjeçe, si edhe referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Y. M., 56 vjeç dhe A. M., 56 vjeçe, pasi pas një seance Gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, me palë shtetasit B. K. dhe F. K. (bashkëshortë), këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar fizikisht shtetasin B. K., si edhe gjatë shoqerimi për në ambientet e Policisë, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë.”

Në Korçë është prangosur një 24-vjeçar i cili dyshohet se është përpjekur të djegë parukerinë e ish-kunatës.

Njoftimi

“Një 24-vjeçar u vu në pranga në Korçë, pasi dyshohet se tentoi të digjte parukerinë e ish-kunatës së tij. Sipas policisë, i riu do të përdorte benzinë për djegur biznesin që përdoret nga ish-kunata. Dyshohet se këtë veprim, shtetasi me iniciale S.D. e ndërmori për hakmarrje, por nuk dihen më shumë detaje. Ai u vu në pranga dhe çështja po hetohet nga Prokuroria e Korçës.

Një 32-vjeçar është arrestuar në Durrës pasi akuzohet për vjedhje me forcë. Gëzim Myzeqari (Jakupi) akuzohet se u ka marrë me forcë varëset nga qafa dy grave.

Njoftimi

“Finalizohet nga Stacioni i Policisë Plazh në Durrës në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë, operacioni policor i koduar “Hija”. Falë reagimit në kohë dhe punës profesionale të shërbimeve të Policisë, u identifikua dhe u vu në pranga 32 vjeçari që u kishte marrë me forcë varëset nga qafa dy shtetaseve. Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh Durrës, me marrjen e njoftimit se një shtetas kishte kryer dy vjedhje duke iu marrë me forcë varëset nga qafa dy shtetaseve, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë reagimit në kohë, veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u bë e mundur identifikimi dhe lokalizimi i autorit të dyshuar, ku në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Gëzim Myzeqari (Jakupi) 32 vjeç, banues në lagjen ne. 2 Kavajë. Ky shtetas u ka marrë me forcë varëset nga qafa dy shtetaseve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.”