Vendosni fjalën kyçe....

Transferoi votues nga Dropulli në Himarë, Tavo kallëzohet në SPAK

Shteti privat i Edi Ramës është në Himarë për të ndëhyrë e ndikuar në të gjitha format që “kameleoni” i tij politik, Vangjel Tavo, të fitojë me patjetër zgjedhjet e 4 gushtit. Edhe vetë Vangjel Tavo ka nisur të aplikojë të njëjtat metoda të paligjshme për të cilat akuzonte Rilindjen tre vite më parë në Dropull e qarkun Gjirokastër.

Një prej tyre është dhe importimi i votuesve nga Dropulli në Himarë, të cilën OMONIA e denoncoi disa ditë më parë. Ndërkohë sot në nisjen zyrtare të fushatës, kandidati i opozitës Petro Gjikuria ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme rivalin e tij Vangjel Tavo.

Lapsi.al disponon eksluzivisht një kopje të kallëzimit ndaj Tavos, por edhe disa personave të tjerë familjarë të tij, të cilët kohët e fundit janë transferuar me banim në fshatin Borsh, pjesë e Bashkisë Himarë. Më konkretisht bëhet fjalë për; Grigor Tavo, Harrallmb Tavo dhe Pavllo Tavo, si dhe familjarisht ish-kryebashkiakun e Dropullit; Ahilea Kristofor Decka, Eli Vasil Decka, Eli Taqi Decka, Kristina Ahilea Decka. Pjesë e listës janë gjithashtu shtetasit Redjan Gjini, Eftalia Gjini, Nisli Gjini, Mustafa Gjini, Fatbardha Gjini, Bleona Gjini

“Emrat e shtuara ne listen e Borshit te ardhur nga Dropulli dhe Gjirokastra jane miq dhe familjare te kandidatit Vangjel Tavo dhe jane shtuar ne kete liste me synimin qe te punesohen, te drejtojne Bashkine Himare dhe te perfitojne favore dhe prona. Keto manipulime me listat jo vetem qe nuk na stepin por na motivojne edhe me shume per te ndeshkuar me vote hajdutet 12 vjecare”, thuhet në një deklaratë të OMONIA-s.

Petro Gjikuria kërkon nga SPAK të fillojë ndjekjen penale për Vangjel Tavon dhe shtetasit e tjerë të transferuar prej tij nga Dropulli në Borsh.

“Për krimet elektorale qe po kryhen ne vijim dhe vecanerisht ndaj punonjesve te administrtes publike te perfshire ne fushate ne kundershtim me ligjin”, vijon deklarata e OMONIA-s duke paralajmëruar denoncime të tjera në ditët e ardhshme për krime elektorale dhe keqpërdorimin e administratës publike në zgjedhje. “Himara eshte e pa thyeshme! Himara do votoje birin e saj Petro Gjikuria”, përfundon deklarata e organizatës OMONIA.

Ironia tjetër e njeriut me të cilin Edi Rama kërkon të mbajë me patjetër Himarën dhe të vijojë zaptimin e pronave për njerëzit e oborrit të tij është fakti se vetë Vangjel Tavo ka në SPAK një kallëzim që ka bërë tre vite mëparë për blerje votash nga njerëz të lidhur me Partinë Socialiste në Gjirokastër.

Asokohe Tavo bërtiste me të madhe se një votë kishte shkuar deri në 500 euro për kandidatët për deputetë të PS. E po kështu akuzonte Ramën dhe ministrin e Brendshëm Çuçi se mbyllën enkas kufirin me Greqinë gjoja prej pandemisë, për të penguar votues të tij në qarkun Gjirokastër. Tavo sot në prehërin e Edi Ramës është duke bërë të njëjtat gjëra që ai i denonconte vetë kundër Rilindjes 3 vite më parë. Mbetet për t’u parë se ç’do të të bëjë SPAK me këtë kallëzim.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Lapsi.al