Vendosni fjalën kyçe....

Vodhën 15 qytetarë përmes mashtrimit me kreditë, çohen në gjyq 5 persona, mes tyre tre punonjës të “Fondit Besa”


Pesë persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Tiranës pasi akuzohen se përmes mashtrimit kanë vjedhur 15 qytetarë duke marrë kredi në emër të tyre duke përvetësuar paratë.

Ledion Vrapi, Lindita Ndroqi, Eros Aliu, Lindita Peçi, Majlinda Demollari akuzohen për mashtrim e falsifikim dokumentesh.

Eros Aliu, Lindita Peci dhe Lindita Ndroqi kanë qenë punonjës të “Fondit Besa” dhe akuzohen si bashkëpunëtorë në skemën e mashtrimit.

Shtetasi L.V. ka shtyrë personat e dëmtuar që të hapnin llogari banare në emër të tyre, më pas u ka marrë përmes gënjeshtrës kopje të dokumenteve të identifikimit dhe ka realizuar pa dijeninë e tyre dosjet e kredisë, kontratat e kredisë në institucionin financiar “Fondi Besa” dhe më pas ka disbursuar shumat monetare në llogaritë bankare të të dëmtuarve duke tërhequr paratë për vete.

Në gjyq kanë përfunduar edhe tyre punonjës të Fondit Besa në kohën e realizimit të skemës së mashtrimit.

Njoftimi

“Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq pesë persona të cilët nëpërmjet mashtrimit vodhën të paktën 15 shtetas duke marrë kredi në emër të tyre dhe përvetësuar paratë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq pesë shtetasit L.V., L.N., E.A., L.P., dhe M.D. për veprën penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumenteve’.

Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këta persona duke përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit, kanë përvetësuar shumat e kredive të marra të paktën nga 15 persona që kanë bërë kallëzim penal duke i mashtruar dhe duke ju përvetësuar shumat monetare.

Shtetasi L.V., ka shtyrë të dëmtuarit nga kjo veprimtari kriminale që të hapnin llogari bankare në emër të tyre, ku janë transferuar shumat monetare të marra nëpërmjet kredive bankare.

Po kështu, nëpërmjet gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit ka siguruar kopje të dokumenteve të identifikimit për personat e dëmtuar dhe pa dijeninë e tyre, ka bërë të mundur realizimin e dosjeve të kredisë dhe kontratave të kredise, në institucionin financiar ‘Fondi Besa’ sh.a, duke bërë të mundur çeljen e kredive, disbursimin dhe transferimin e shumave monetare në llogaritë bankare të personave të dëmtuar, tërheqjen e shumave dhe përvetësimin e tyre.

Në kryerjen e këtyre veprimeve, shtetasi L.V., ka bashkëpunuar me shtetasit E. A. dhe L. P., të cilët kanë qënë punonjës të shoqërisë ‘Fondi Besa’ sh.a, që kanë qënë në cilësinë e oficerit të kredisë, në lidhje me personat e dëmtuar. Po kështu, ka bashkëpunuar edhe me shtetasen L. N., e cila ka qënë përgjegjëse e zyrës përkatëse të ‘Fondi Besa’ sh.a, që ka patur në varësi dy punonjësit e mësipërm.

Nga aktet provohet se në veprimet apo mosveprimet e të gjithë shtetasve të përfshirë në këtë skemë vjedhjeje nëpërmjet mashtrimit, provohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit apo të zbatuesit, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit dhe dokumenteve të falsifikuar.

Shtetasi L. V., në bashkëpunim me shtetaset L.N., E.A. dhe L.P., rezulton se kanë krver veprën penale të “Mashtrimit”, me pasoja të rënda dhe të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 143/3 dhe 25 të Kodit Penal.

Ndërsa shtetasja M. D., në cilësinë e Noteres, ka kryer veprën penale të ‘Falsifikimi i dokumenteve’.”