Vendosni fjalën kyçe....

“3 trilionë dollarë nevojiten çdo vit për ekonominë e gjelbër” – Sekretarja amerikane e Thesarit


Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha të shtunën se shndërrimi drejt një ekonomie me karbon të ulët kërkon 3 trilionë dollarë kapital të ri çdo vit deri në vitin 2050, shumë më tepër se financimi i tanishëm vjetor.

Yellen tha në Brazil se arritja e objektivave të ndotjes neto zero mbetet një përparësi kryesore për administratën Biden-Harris dhe kjo do kërkonte edhe pjesëmarrjen e vendeve të tjera të mëdha.

“Pakujdesia e trajtimit të ndryshimeve klimatike dhe humbjes së natyrës dhe larmishmërisë nuk është vetëm një politikë e keqe mjedisore por mbi të gjitha një politikë e keqe ekonomike,” tha Yellen në një fjalim pas pjesëmarrjes në takimin e krerëve të financave të G20-ës të enjten dhe të premten në Rio de Zhaneiro.

Ekonomitë e pasura siguruan një sasi të madhe prej 116 miliardë dollarësh për financimin e klimës për vendet në zhvillim në vitin 2022, 40% e të cilave erdhën nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit (MDB). Yellen tha se bankat, përfshirë Bankën Botërore dhe Bankën Ndëramerikane për Zhvillim (IDB) po vendosnin objektiva të rinj.

Nevoja për financim është “mundësia më e madhe ekonomike e shekullit të 21-të” dhe mund të përdoret për të mbështetur një rritje të qëndrueshme dhe më gjithëpërfshirëse, duke përfshirë vendet e uritura nga investimet, tha ajo.