Pas përfundimit të procesit të votimit për Asamblenë e re të Partisë Socialiste në Kuvend, sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ka folur për mediat, duke shpjeguar se ndryshimet në qeveri janë ekskluzivitet i kryeministrit Edi Rama.
Klosi ka theksuar se të gjithë drejtuesit e qarqeve janë të angazhuar në procesin e rienergjizimit të partisë dhe se rezultatet e këtij procesi janë arritur falë angazhimit të tyre.
Ai ka shtuar se grupi parlamentar i PS-së do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme nesër në orën 8 të mëngjesit, ku do të diskutohen ndryshimet e reja në përbërjen e qeverisë.
“Jemi 12 drejtues qarqesh. Të 12 ishin të involvuar në këtë proces. Të gjithë drejtuesit politik ndoqën procesin e rienergjizimit.
Rezultati i procesit ishte dhe falë drejtuesve politik. Bëni pyetje pa kuptim. Jemi pjesë e grupeve të shkëlqyera të punës.
Për sa i përket ndryshimeve në qeveri janë ekskluzivitet i kryeministrit. Ndryshimet janë pjesë e një ekipi, pozicionohen në pjesë të ndryshme, kemi një trajner ne që na ka nxjerrë fitues.
Sa i përket grupit parlamentar, nesër në 8 të mëngjesit kemi një mbledhje të grupit ku do diskutohen edhe ndryshimet.’