Vendosni fjalën kyçe....

Salianji pas kongresit të PS-së: Asnjë ndryshim në qeveri, e njëjta mendësi totalitare


Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas Kongresit të Partisë Socialiste, duke kritikuar ndryshimet e propozuara në qeveri. Sipas tij, këto ndryshime nuk sjellin asgjë të re, duke ruajtur të njëjtën mendësi totalitare dhe miksimin e punëve të shtetit me partinë, duke çimentuar partinë-shtet.

Salianji theksoi se ndryshimet e emrave dhe fytyrave bëhen vetëm për makiazh dhe për interesa okulte, pa asnjë kriter performance apo llogaridhënie. Ai akuzoi qeverinë për përçmim të interesit publik dhe për ruajtjen e të njëjtit interes politik që çoi në shkarkimin e dy ish-ministrave, Balla dhe Çuçi.

Sipas Salianjit, gjetjet e Komisionit Hetimor për TIMS kanë zbuluar menaxhimin e keq të sistemit, manipulimet dhe abuzimet, duke përfshirë emërime të pandershme, ndërhyrje dhe akses të pautorizuar. Paaftësia e ministrave për të fshehur këto abuzime i çoi në “gijotinën politike”.

Reagimi i plotë:

Asnjë ndryshim në qeveri! E njëjta mendësi totalitare, i njejti miksim i përzierjes së punëve të shtetit me partinë, duke çimentuar partinë-shtet!

E njëjta metodologji përçmimi për interesin publik, duke ndryshuar emra dhe fytyra vetëm për makiazh dhe interesa okulte dhe asnjë kriter performance apo llogaridhënie!

I njëjti interes bën që gjetjet e Komisionit Hetimor për TIMS të zbresin shkarkojnë politikisht dy ish ministrat Balla dhe Çuçi,jo se u shkatërrua “TIMS” por menaxhimi i keq i vjedhjes dhe manipulimit të sistemit TIMS duket që nuk u kapërdi.

Gjetjet e shkeljeve në emërime, manipulimi, ndërhyrja, aksesi i pautorizuar dhe paaftësia e ministrave për ti fshehur këto abuzime i çoi të dy në gijotinë politike!