Policia e vuri re 20-vjeçarin që tentoi të vriste Donald Trump-in më shumë se një orë para atentatit, tha një zyrtar i FBI-së. Ngjarja e rëndë ndodhi në Pensilvani teksa ish-presidenti po fliste para mbështetësve të tij më 13 korrik.
“Atentatori u identifikua nga forcat e rendit si një person i dyshimtë,” u tha gazetarëve Kevin Rojek, agjenti special i ngarkuar me zyrën në terren të FBI-së në Pitsburg në një konferencë mbi hetimin e agjencisë për atentatin.
Ai tha se një oficer vendas mori një foto të të armatosurit Thomas Crooks dhe ua dërgoi atë zyrtarëve të tjerë të zbatimit të ligjit në skenën e tubimit në Pensilvani atë ditë. Rreth 30 minuta më vonë, tha Rojek, agjentët e SWAT panë Crooks duke përdorur një pajisje për matjene largësisë.
Crooks u pa duke mbajtur një çantë shpine rreth orës 17:56, më pak se 20 minuta para se të nisnin të shtënat dhe në orën 18:08 ai u kap në një kamerë të policisë duke ecur në çati nga ku ai qëlloi, tha Rojek.
Megjithëse FBI-ja nuk është agjencia përgjegjëse për hetimin e ndonjë gabimi në sigurinë e Trump, personeli i FBI-së harton një plan kohor të ngjarjeve, tha ai.
Zyrtarët e FBI-së thanë se nuk kishin identifikuar ende një motiv për Crooks, 20-vjeçarin e armatosur, i cili u qëllua për vdekje nga një agjent i Shërbimit Sekret pasi hapi zjarr.
Por ata thanë se ai kishte kryer kërkime në internet për të shtëna të tjersa masive, për pajisje shpërthyese të improvizuara dhe për atentatin ndaj kryeministrit sllovak në maj.
Rojek konfirmoi se Trump ishte goditur nga një plumb i vetëm.
Zyrtarët e FBI-së e kanë përshkruar Crooks si një të ri të vetmuar që nuk kishte miq apo të njohur të ngushtë, me rrethin e tij shoqëror të kufizuar kryesisht tek anëtarët e ngushtë të familjes.
Duke përdorur aplikacione të koduara, ai bëri 25 blerje të lidhura me armë zjarri dhe gjashtë përbërës kimikë për të bërë pajisje shpërthyese, u thanë gazetarëve zyrtarë të FBI-së.