Presidenti Joe Biden propozoi të hënën ndryshime gjithëpërfshirëse në Gjykatën e Lartë të SHBA-së, duke përfshirë kufizimin e mandatit dhe një kod detyrues sjelljeje për nëntë gjyqtarët, por një Kongres thellësisht i ndarë do të thotë se propozimet kanë pak mundësi për t’u miratuar.
Biden bëri thirrje për rinovim si dhe një amendament kushtetues për të eliminuar imunitetin e gjerë presidencial të njohur në një vendim të Gjykatës së Lartë të 1 korrikut që përfshin ish-presidentin Donald Trump.
“Ky komb u themelua mbi një parim të thjeshtë por të thellë: Askush nuk është mbi ligjin. As presidenti i Shteteve të Bashkuara. Askush,” tha Biden.
Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë rregulla të detyrueshme që kërkojnë që gjyqtarët të zbulojnë dhuratat, të frenohen nga veprimtaritë publike politike dhe të heqin dorë nga rastet në të cilat ata ose bashkëshortët e tyre kanë konflikte financiare ose konflikte interesi. Ai kërkoi gjithashtu miratimin e një afati 18-vjeçar për gjyqtarët, të cilët aktualisht janë të përjetshëm.
Biden lëshoi propozimet e tij një javë pasi përfundoi garën për rizgjedhje dhe miratoi zëvendëspresidenten Kamala Harris si kandidaten demokrate për t’u përballur me Trump, kandidatin republikan, në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA. Biden, i cili më herët në presidencën e tij mblodhi një komision për të studiuar ndryshimet në Gjykatën e Lartë, ka emëruar një nga nëntë gjyqtarët, liberalin Ketanji Brown Jackson.
“Në demokracinë tonë, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Kështu që ne duhet të sigurojmë gjithashtu që asnjë ish-president të ketë imunitet për krimet e kryera gjatë kohës që ishte në Shtëpinë e Bardhë,” tha Harris, ish-prokurore dhe Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë, në një deklaratë të hënën. .