Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Venezuelës, Maduro fiton mandatin e tretë


Presidenti Nicolás Maduro ka fituar zgjedhjet presidenciale të Venezuelës, sipas rezultateve të pjesshme të publikuara nga këshilli zgjedhor.

Kreu i Këshillit Kombëtar Zgjedhor (CNE), Elvis Amoroso, i cili është një aleat i ngushtë i Maduro, tha se me 80% të votave të numëruara, Presidenti Maduro kishte 51.20% të votave, krahasuar me 44.02% për rivalin e tij kryesor.

Opozita venezueliane ka pretenduar për mashtrim të gjerë në numërimin e votave dhe është zotuar të kundërshtojë rezultatin.

Ajo ishte bashkuar pas kandidatit Edmundo González për të rrëzuar Maduro pas 11 vitesh në pushtet.

Duke folur para mbështetësve brohoritës në Karakas, Maduro tha se rizgjedhja e tij ishte një “triumf i paqes dhe stabilitetit”.

Ai vlerësoi sistemin zgjedhor të Venezuelës, duke e përshkruar atë si transparent, dhe u tall me opozitën, për të cilën tha se “qan, mashtron” në çdo zgjedhje.

Sekretari amerikan i Shtetit shprehu skepticizëm pas shpalljes së rezultatit. Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara kishin “shqetësime serioze se rezultati i deklaruar nuk pasqyron vullnetin ose votat e popullit venezuelian”.

Ndërkohë, Kuba, një aleat i ngushtë i qeverisë së Maduros, tha se “populli foli dhe Revolucioni fitoi”.

Votimi në Venezuelë është elektronik. Votuesit godasin një buton të caktuar për kandidatin e tyre të preferuar në një makinë votimi.

Rezultatet elektronike dërgohen në selinë e CNE-së, por makina printon edhe një faturë letre e cila më pas vendoset në një kuti votimi.

Me ligj, partitë lejohen të dërgojnë dëshmitarë për numërimin e këtyre faturave në letra të kryera në çdo qendër votimi, por shumë prej tyre u penguan ta bëjnë këtë. Opozita kishte dërguar mijëra dëshmitarë në qendrat e votimit në të gjithë vendin për të shpallur vetë numërimin e votave.

Opozita tha se i ishte dhënë akses në më pak se një e treta e faturave të printuara.