Banorët e Krujës, Fushë Krujës dhe fshatrave përreth kanë sot sërish në protestë në autostradën Thumanë-Kashar.
Ata janë tubuar që në orën 18:00 ndërsa në vend kanë shkuar forca të shumta policie.
Banorët janë përplasur me policinë, që ka përdorur sperkatës djegës ndaj tyre. Efektivët kanë mundur të hapin një pjesë të rrugës për të mundësuar kalimin e makinave.
“I bëjmë thirrje shtetit të na hapë rrugën dhe ta paguajmë. Neve na është hequr buka e gojës. Nëse këta duan që të na heqin këtë mënyrë dhe të merremi me drogë. Ne nuk jemi për këtë punë. Kemi vetëm një kërkesë, të na hapet rruga dhe ta paguajmë”, tha njëri nga protestuesit.
Policia ka vendosur gjithashtu tel me gjemba për të frenuar bllokkimin e autostradës.
Në protestë ka qenë e pranishmë edhe deputetja e PD-së Andia Ulliri.
Banorët pretendojnë se rruga nuk ka hyrje-dalje duke i penguar nga lëvizja e lirë. Po kështu ata thonë se rruga e re po falimenton bizneset e tyre.
Banorët e Fushë Krujës, Krujës e fshatrave përreth protestuan edhe pak ditë më parë ndërsa kanë deklaruar se nuk do ndalen derisa të gjejnë të drejtën.