Në 24 orët e fundit, janë shuar 13 nga 20 vatrat e zjarrit të evidentuara në vend, përfshirë një zjarr në fushën e mbetjeve në qytetin e Vlorës. Megjithatë, disa zjarre vazhdojnë të jenë aktive:
Fshati Zogaj, bashkia Tropojë, zona është izoluar plotësisht dhe zjarri vijon të jetë aktiv me intensitet të ulët në veri të lagjes Hajdarmataj. Forcat e Armatosura dhe pushteti vendor po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Fshati Hoten, bashkia Vau Dejës, zjarri ka intensitet të ulët dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Fshati Mal-Shëngjin, bashkia Lezhë, zjarri që është aktiv prej disa ditësh është përhapur dhe ka rrezikuar bizneset dhe zonat e banuara. Ndërhyrjet nga ajri kanë shmangur rrezikun për qytetarët, dhe operacionet vazhdojnë nga toka dhe ajri.
Fshati Zavalinë, bashkia Elbasan, zjarri është aktiv dhe për shuarjen e tij janë angazhuar strukturat e pushtetit vendor dhe Forcat e Armatosura.
Kodrat e liqenit të Viroit, Gjirokastër dhe fshati Lozhan, bashkia Maliq, puna po vijon për shuarjen e dy vatrave të tjera të zjarrit.
Pjesa më e madhe e zjarreve janë shkaktuar qëllimisht nga dora e njeriut. Shprehje mirënjohjeje për të gjitha forcat operacionale të angazhuara dhe bëhet thirrje për kujdes nga banorët.
\