Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi voton për ndryshimet në Qeveri, miratohen ministrat e rinj


Tensione në sallën e Kuvendit. Deputetë të opozitës kanë zaptuar foltoren e Kuvendit, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli, ka kaluar për votim dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në Qeveri.

“Hajdut Hajdut”, bërtiste Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, duke iu drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentares në detyrë Nikolla, ndërsa kjo e fundit ka vijuar me votimin e dekreteve.

Ndërkohë, deputetët e PD janë mbledhur rreth foltores duke shprehur edhe protestën e tyre, pasi më parë i është refuzuar kërkesa për debat lidhur me ndryshimet në Qeveri.

Mes kaosit të krijuar në sallën e Kuvendit, ku një pjesë e ligjvënësve opozitarë ndodheshin në foltore dhe të tjerë godisnin tavolinat, deputetët kanë votuar dekretet.

Kuvendi votoi me 79 vota pro shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre për marrëdhënien me Parlamentin.

Me 78 vota pro u shkarkua nga posti i ministrit të Financave i Ervin Metes, me 78 vota pro u miratua shkarkimi i Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe me 84 vota u shkarkua Taulant Balla si ministër i Brendshëm.

Ndërkohë Kuvendi votoi për emërimin e Petrit Malajt në postin e ministrit të Financave me 77 vota pro, ndërsa Pirro Vengu u emërua ministër i Mbrojtjes po me 77 pro.

Ervin Hoxha u votua si ministri i ri i Brendshëm me 76 vota pro dhe Taulant Balla si ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin me 78 vota pro.

Kuvendi pritet të votojë përmes votës me kuti lidhur me kandidaturën e Elisa Spiropalit si Kryetare e Kuvendit.