Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro ka akuzuar kreun e SpaceX dhe Tesla, Elon Musk, se po përpiqet të prishë paqen dhe stabilitetin në vendin e Amerikës së Jugut.
Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) i Venezuelës shpalli të dielën Maduro fitues të zgjedhjeve presidenciale të vendit, duke njoftuar se me 80% të votave të numëruara, ai kishte siguruar më shumë se 51% të votave, krahasuar me 44% për rivalin e tij kryesor, Edmundo Gonzales.
Mbështetësit e Gonzalez kanë dalë në rrugë pas publikimit të rezultateve zyrtare, duke pretenduar se votimi ishte i manipuluar.
Musk, i cili zotëron platformën e mediave sociale X, e akuzoi Maduron të hënën për “mashtrim të madh zgjedhor”.
Presidenti i Venezuelës iu përgjigj pretendimeve duke sfiduar miliarderin, gjatë një fjalimi që ai bëri në televizionin kombëtar.
“Mediat sociale krijojnë një realitet virtual dhe kush e kontrollon realitetin virtual? Armiku ynë i ri, i famshëm Elon Musk,” tha Maduro, duke treguar një celular.
“Të paktën ju treguat fytyrën tuaj, sepse ne e dinim që ju qëndroni pas çdo gjëje,” tha Maduro.
“Me paratë tuaja, me satelitët tuaj. Jeni përfaqësimi i ideologjisë fashiste në botë”.
Presidenti i Venezuelës vijoi më tej duke sfiduar Musk-un: “A dëshiron të luftosh? Le ta bëjmë…Unë jam gati. Unë nuk kam frikë nga ju, Elon Musk. Le të luftojmë ku të doni”.
Musk, si përgjigje, ndau videon e fjalimit të Maduros në X, me një mbishkrim në spanjisht që përkthehet si “edhe gomari di më shumë se Maduro”.