Vendosni fjalën kyçe....

Përkeqësohet situata në Shëngjin, zjarri rrethon resortin tek Rana e Hedhun, kërkohet ndihma e Mekanzimit Evropian të Mbrojtjes Civile


Është përkeqësuar situata në Shëngjin, aty ku zjarrfikësit, forcat e armatosura por dhe banorë dhe punonjës të resorteve po punojnë për të izoluar flakët që duket se po rrezikojnë godinat hoteliere buzë detit.

Madje në orën 14:30 minuta flakët kanë zbritur edhe në bregdet duke djegur çadra plazhi dhe një lokal.

Flakët kanë rrethuar ‘Inheritor resort’, ndërsa forcat zjarrfikëse që po përpiqen të shuajnë flakët me qëllim që të mos I afrohet godinës.

Flakët favorizohen dhe përhapen me shpejtësi për shkak të erës së fortë por dhe bimësisë së dendur. Janë parë dhe pushues të cilët janë larguar,  ndërsa punëtorët e resortit përpiqen të ndihmojnë në shuarjen e flakëve.

Nuk kanë munguar as shpërthimet.

Situata është agravuar në orën 14:30 kur pati dhe riaktivizim të flakëve për shkak të bimësisë së dendur dhe erës së fortë.

Flakët kanë qenë në një distancë gati 30 metra larg godinave hoteliere por zjarrfikësit po përpiqen të punojnë që të mos i afrohen këtyre godinave.

E ndihmuar nga era flakët përhapen në vatra të reja, ndërsa resortet janë evakuar.

Në ndihmë të shuarjes së flakëve janë angazhuar disa zjarrfikëse nga disa qytete por dhe një helikopter.

Zjarrfikësit, emergjencat dhe forcat e ushtrisë janë përqendruar në zonën e quajtur Rana e Vogël, për shkak të densitetit të hoteleve dhe banesave që ndodhen në këtë zonë.

Prej orës 07:00 të mëngjesit të 30 korrikut ka nisur ndërhyrja nga ajri me helikopter, me shpresën për të neutralizuar flakët.

Gjatë gjithë natës është punuar për shuarjen e flakëve, ndërsa u evakuuan banorë dhe turistë të shumtë që po pushonin këtë zonë në kulmin e sezonit turistik. Tymi ka mbuluar pjesën më të madhe të plazhit, ndërsa zjarri po përparon drejt zonës së mbrojtur të Ranës së Hedhun.

Flakët dolën jashtë kontrollit mesnatën e 30 korrikut, ndërsa policia ka bllokuar rrugën që të çon drejt zonës turistike të Ranës së Hedhun për të shmangur rrezikun për banorët dhe turistët.

Një efektiv i zjarrfikëses është lënduar teksa po punonte në shuarjen e flakëve. Ai është rrezuar dhe ka thyer krahun. Është dërguar me urgjencë për ndihme mjekësore në spitalin e Lezhës.

20 mjete zjarrfikëse punuan në terren gjatë natës nga disa qytete, Lezha, Mirdita, Kamza, Tirana e Berati Fieri, Lushnja, Vau i Dejës dhe Shkodra. Operacioni gjatë gjithë natës është ndjekur nga Prefekti i Qarkut, nënkryetarët e bashkisë Lezhë, Drejtori i Gatishmërisë, Drejtori i Përgjithshëm të MZSH në MB, 3 fugon të FNSH, (1 Shkodra, 2 Tirana), Drejtori Policisë Vendore,  Lezhë, si dhe forca të shumta policore.

Flakët që ranë në Malin e Shëngjinit prej pasdites së 28 korrikut u riaktivizuan pasditen e së hënës, e megjithëse u ndërhy nga ajri me helikopter izolimi i flakëve ishte i pamundur.  Zjarri ra fillimisht mbi qytetin e Shëngjinit, në fshatin Mal Shëngjin dhe si rezultat i ndërhyrjes u vu nën kontroll, nga ana veriperëndimore e qytetit. Por, shtimi i erës riaktivizoi zjarrin në pjesën jugore.

Ministria e Mbrojtjes informon se pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, situata në vatrën e zjarrit në fshatin Mal Shëngjin është problematike.

“Përveç forcave zjarrfikëse të pushtetit vendor është angazhuar për shuarjen e flakëve edhe helikopteri Cougar, por si pasojë e erës së fortë zjarri është përhapur, duke rrezikuar edhe zonat e bauara dhe bizneset në zonë.  U morën masat në kohë për evakuimin e tyre, duke bërë të mundur shmangien e rrezikut.

Ditën e djeshme operuan 20 mjete zjarrfikëse gjatë gjithë natës me 60 forca zjarrfikëse. Ndërsa sot veç helikopterit Cougar po punojnë edhe 40 mjete zjarrfikëse dhe 150 forca operacionale.

Pas kërkesës drejtuar Mekanzimit Evropian të Mbrojtjes Civile pritet të mbërrijnë shumë shpejt dy avionë Canadair për ndërhyrje nga ajri. Situata vijon të mbetet problematike pavarësisht gjithë angazhimit në nivel kombëtar.

U bëjmë thirrje banorëve të bashkëpunojnë me forcat e policisë dhe zjarrfikësit në rast nevojë për evakuim. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile për ndihmën e dhënë! Puna po vijon edhe në disa vatra të tjera ë vijojnë të jenë aktive në qarqet Korçë, Shkodër, Gjirokastër, Elbasan.” thuhet në njoftim.