Vendosni fjalën kyçe....

S’ndalen protestat e dhunshme në Venezuelë pas shpalljes së fitores nga Maduro, 6  viktima, akuza opozitës për grusht shteti


Kundërshtarët dhe mbështetësit e presidentit të zgjedhur të Venezuelës Nicolas Maduro planifikuan të mblidheshin të martën ndërsa protestat dhe përleshjet u përhapën në vend pas shpalljes së fitores nga ana e tij, pavarësisht pretendimeve për parregullsi e manipulime nga opozita.

Zgjedhjet në Venezuelë sollën përçarje ndërkombëtare më SHBA-të që thanë se zgjedhjet nuk ishin të besueshme ndërsa Kina dhe Rusia e uruan Maduron për fitoren.

Protestat nisën menjëherë pasi bordi zgjedhor deklaroi të hënën se Maduro kishte fituar një mandat të tretë me 51% të votave, duke zgjatur qeverisjen çerekshekullore të lëvizjes së tij “Chavista”.

Opozita, që e konsideron organin zgjedhor të kontrolluar nga qeveria, tha se 73% e votave në të cilat ajo ka qasje treguan se kandidati i saj Edmundo Gonzalez kishte dy herë më shumë vota se Maduro.

Partia opozitare e Venezuelës “Voluntad Popular” tha të martën në X se bashkërenduesi i saj kombëtar Freddy Superlano ishte arrestuar.

Partia postoi dhe më pas fshiu një video që tregonte Superlano dhe dy të tjerë duke u ndalur jashtë një ndërtese të mbyllur dhe duke u futur në një makinë të rrethuar nga njerëz të armatosur të veshur me të zeza. Videoja është postuar edhe nga mediat vendase.

Prokurori i Përgjithshëm Tarek Saab nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment nëse Superlano u ndalua dhe për çfarë akuzash.

Sipas grupit të të drejtave të njeriut “Foro Penal”, të paktën gjashtë persona janë vrarë në gjithë vendin në incidente që lidhen me numërimin e zgjedhjeve ose protestat e lidhura me to.

Disa protestues bllokuan rrugët, ndezën zjarre dhe hodhën bomba me benzinë ​​ndaj policisë, duke përfshirë pranë pallatit presidencial Miraflores në Karakas.

“Ne jemi të lodhur nga kjo qeveri, ne duam ndryshim. Ne duam të jemi të lirë në Venezuelë. Ne duam që familjet tona të kthehen këtu,” tha një protestues i maskuar, duke iu referuar eksodit të rreth një të tretës së venezuelianëve në vitet e fundit.

“Unë do luftoj për demokracinë e vendit tim. Ata na vodhën zgjedhjet,” tha një tjetër.

Shumë demonstrues hipën me motoçikleta dhe bllokuan rrugët ose u mbuluan me flamurin e Venezuelës. Disa mbuluan fytyrat e tyre me shalle si mbrojtje kundër gazit lotsjellës.

Qeveria i quajti protestduesit agjitatorë të dhunshëm.

“Ne e kemi parë këtë film më parë,” tha Maduro nga pallati presidencial, duke u zotuar se forcat e sigurisë do ruajnë paqen.

“Ne po i ndjekim të gjitha aktet e dhunës të promovuara nga e djathta ekstreme.”

Ministri i Mbrojtjes, gjenerali Vladimir Padrino i përshkroi protestat si një “grusht shteti”.

“Ka një grusht shteti në zhvillim, kështu që presidenti Nicolas Maduro ka kërkuar ndalimin e tij duke përdorur të gjitha institucionet demokratike dhe forcat e armatosura,” tha Padrino në televizionin shtetëror të martën.

“Ne do e mposhtim grushtin e shtetit.”

Në Coro, kryeqyteti i shtetit Falcon, protestuesit brohoritën dhe kërcyen kur rrëzuan një statujë të ish-presidentit Hugo Chavez, mentori i Maduros që sundoi nga  viti 1999-2013.