Vendosni fjalën kyçe....

Sot seancë për Dritan Dajtin në Gjykatën e Elbasanit, kërkon lirinë


Në seancën e radhës ndaj Dritan Dajtit, e kryesuar nga gjykatësja Suela Lika, mungoi përfaqësuesi i IEDVP Peqin dhe u paraqit me 18 minuta vonesë Glenda Zeneli, përfaqësuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Megjithatë, gjykatësja vendosi të vijonte shqyrtimin e provave të reja të paraqitura nga Dajti, i cili ishte i pranishëm përmes vidiokonferencës.

Dajti kërkoi që regjistrimi i seancës të bëhej edhe në video, përveç regjistrimit audio, duke argumentuar se regjistrimi video është i nevojshëm për të dokumentuar saktë dinamikën e vuajtjes së dënimit. Gjykatësja theksoi se aktualisht është e pamundur të realizohet regjistrimi video për shkak të mungesës së infrastrukturës teknike.

Seanca u ndërpre për 37 minuta për shkak të mungesës së sinjalit të internetit në IEDP Peqin, duke e bërë të pamundur vijimin e seancës përmes vidiokonferencës. Avokati Alban Qafa akuzoi IEDP Peqin për mungesë korrektësie në komunikimin shkresor me kërkuesin, mbrojtjen dhe Gjykatën.

Dritan Dajti kërkoi që t’i dorëzohej vendimi i dënimit me burg përjetë, i cili sipas tij është firmosur dhe duhet të ndodhet në dispozicion të tij. Kjo kërkesë u cilësua abuzive nga gjykatësja. Sipas përfaqësueses së Prokurorisë, Dajti ka të drejtën e ankimimit për çështjet që ai mendon se i janë mohuar të drejtat.

“Nga përmbajtja e shkresës “Dinamika e vuajtjes së dënimit për të dënuarin” rezulton se nga data e arrestimit, datë 07.08.2009, deri më datë 30.04.2024 i dënuari ka vuajtur gjithësej 24 (njëzet e katër) vjet, 8 (tete) muaj e 13 (trembëdhjetë) ditë”, thuhet në kërkesën për lirim nga qelia.