Vendosni fjalën kyçe....

“Bashkë mund të arrijmë të pamundurën” – Tabaku ftesë profesionistëve të lirë t’i bashkohen PD-së


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se nëse njerëzit bashkohen, mund të fitohen më shumë beteja dhe mund të arrihet edhe e pamundura.

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzon taksimin për “Profesionistët e lirë”, demokratja nënvizoi se shtresa e mesme është më e mbitaksuara padrejtësisht nga qeveria ndërsa shtoi se sot 95% e shqiptarëve paguajnë taksa më të larta.

“Ne mund të fitojmë më shumë beteja. Shtresa e mesme sot është shtresa më e mbitaksuar në Shqipëri, është shtresa që punon më shumë dhe tatohet më shumë dhe që paguan gjithnjë, drejtësisht taksat dhe për këtë arsye ato mbingarkohen. Sot 95% e shqiptarëve paguan taksa më të larta por më shumë se të gjithë mbingarkohet ajo shtresë që prodhon mendimin.” – tha Tabaku.

Si një nga deputetët demokratë që çuan në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për taksimin e profesioneve të lira, Tabaku theksoi se PD-ja duhet të jetë në mbështetje të profesionistëve të lirë, njerëzve të punës dhe atyre që kontribuojnë në ekonomi kundër qeverisë që i takson padrejtësisht.

“Ne duhet të jemi në mbështetje të punës, ne duhet të jemi në mbështetje të njerëzve të punës, ne duhet të jemi në mbështetje të njerëzve që kontribuojnë në ekonomi dhe në shoqëri e sa herë që bëhet fjalë për beteja të tilla unë do të jem me të gjithë profesionistët e lirë ashtu sic dhe grupi parlamentar ishte kësaj rradhe. Kësaj rradhe vumë një tullë të vogël në sistemin e padrejtë të taksave, herës tjetër akoma më shumë. Kjo tregoi se kur jemi bashkë kemi fuqi dhe mund ta ndryshojmë këtë sistem. Prova e zjarrit në Gjykatën Kushtetuese për taksimin antikushtetues ndaj profesioneve të lira tregoi se vullneti dhe qëllimi i përbashkët për të rrëzuar një sistem të padrejtë ka rezultat.” – mbyll deklaratën Tabaku.