Fron Nahzi është një nga personat dhe zyrtarët kyç të Fondacionit Soros, ai ka lozur një rol të dorës së parë në Evropën Juglindore në disa ngjarje dhe skema të rëndësishme.
Nahzi është mik personal i George Soros dhe një prej strategëve më të besuar të tij.
Në një artikull kritik ndaj qeverisë Rama të publikuar sot në rrjetin BIRN (lexoje këtu), Nahzi përveçse jep shembuj të kompromentimit të Ramës dhe qeverisë së tij, në fund të shkrimit, jep disa mesazhe tepër të rëndësishme mes rreshtave.
Fillimisht Nahzi e quan të lavdërueshme punën e SPAK-ut bazuar në disa aksione që janë kryer, por pak më tej ai shpall paaftësinë totale të SPAK-ut për të hetuar kontratat e mëdha koncensionare, punët e mëdha publike, pra paaftësinë për të hetuar atje ku është paraja e vërtetë dhe ku përgjegjësia shkon deri në kupolë.
Shkruan Fron Nahzi për SPAK-un:
Ndërkohë, SPAK është kritikuar për përqendrimin i tij në korrupsion pas përfundimit të një transaksioni, duke lënë pas dore faktin se procesi që çon në këto transaksione është shpesh po aq, nëse jo më shumë, korruptiv. Kjo qasje selektive minon efektivitetin e përpjekjeve kundër korrupsionit, pasi nuk arrin të adresojë shkaqet rrënjësore dhe mekanizmat e korrupsionit brenda sistemit.
Më tej Fron Nahzi shfaq dhe një tezë të padëgjuar më parë, e cila flet për një plan të amerikanëve për krijimin e një SPAK-2.0, një strukturë krejt e re hetimore e cila do të jetë e dedikuar vetëm në hetimin dhe mbikëqyrjen e projekteve të mëdha, koncensioneve dhe punëve publike dhe mbikëqyrjen e mekanizmit për dhënien e tyre.
Shkruan Fron Nahzi:
Duke pasur parasysh fluksin e konsiderueshëm të fondeve nga këto investime, SHBA-ja mund të konsiderojë promovimin e një ekuivalenti të SPAK-ut për të mbikëqyrur kërkimin dhe dhënien e kontratave dhe koncesioneve qeveritare. Kjo do të ndihmonte që pasuria të shpërndahet në mënyrë më të drejtë sesa të përqendrohet mes një rrethi të zgjedhur bashkëpunëtorësh të Ramës.
Kjo tezë e hedhur nga Nahzi është tregues se diku atje tej në zyrat e Fondacionit apo dhe në zyrat e Departamentit të Shtetit, jo vetëm janë bindur për paaftësinë dhe pamundësinë e SPAK-ut në hetimin e kupolës, por po mendohet për ndërtimin e një tjetër strukture të tipit SPAK 2.0, për të hetuar dhe mbikëqyrur pikërisht mënyrën se si, konceptohen si premtohen dhe si jepen kontratat e mëdha dhe jo thjesht si abuzohen ato rrugës.
Shkolla “Dumani” dhe keqkuptimet
Prej disa kohësh kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani përballet me një valë kritike e cila thekson paaftësinë e tij për të shkuar me hetimin deri në rangjet më të larta të kupolës qeveritare.
Kritikët vënë theksin se Dumani ka bërë hetime në qeveri, por vetëm te ata individë si Ahmetaj, të cilëve kryeministri Rama ja kishte prerë biletën me kohë.
Pra e thënë në një mënyrë më të thjeshtë, të gjithë e vlerësojnë Dumanin për teknikën e tij hetimore, por vënë në dyshim te ai diçka më të madhe, strategjinë e tij me politikën penale.
Tjetër gjë teknika penale, e komplet tjetër gjë politika penale.
Është politika penale që e përcakton efiçencën afatgjatë, ndërsa teknika penale është diçka në funksion të një segmenti, të një apo disa dosjeve. Por nëse teknika ndikon një segment, ajo nuk ka çfarë t’i bëjë trajektores.
Shumëkush, si Arben Ahmetaj përshëmbull, ka arritur me akuzat e veta deri dhe te etiketimi i Dumanit si një yzmetqar i Edi Ramës.
“Ka zbatuar urdhrin e Bossit të tij Edi Rama”, – thoshte Ahmetaj në intervistën për Çim Pekën.
Por ndonëse Ahmetaj e përfytyron marrëdhënien Rama-Dumani si ndonjë konjukturë korruptive ujdish të tipit “ti më jep këtë e unë të jap atë”, ajo çfarë Ahmetaj ndoshta e keqkupton është fakti se Dumani dikur ka qenë fidan i ish-kryeprokurorit Arben Rakipi dhe është i ndikuar dhe i strukturuar në nocione nga zoti Rakipi.
Ky i fundit, përveçse stekë e nivelit të lartë në jurisprudencë, e ka të shpallur filozofinë e tij, madje e ka shprehur dhe në disa dalje televizive:
“Kryeprokurori është nëpunës i shtetit dhe vartës i Kryeministrit. Doemos që dhe prokurorët e tjerë të tillë janë”.
Kjo është deviza. Kjo është shkolla dhe doktrina që i përket Dumani dhe brenda kësaj mendësie ai funksionon.
Në fakt ka disa shtete perëndimore ku organi i akuzës është një degëzim i Ministrisë së Drejtësisë, pra kontrollohet direkt nga ministri, e jo më pastaj nga Kryeministri.
Vetëm se ka një ndryshim, prokuroritë e këtyre shteteve perëndimore, nuk janë konceptuar apo ndërtuar nga projekte ambasadash. Ato janë krijuar me filtra kontrolli të cilat mund të operojnë vetëm në një shtet sovran dhe ku Kryeprokurori, ndonëse nëpunës i kryeministrit, është sovran në orientimin e politikës penale hetimore.
Në Shqipëri nuk ekziston kriteri i sovranitetit (sepse vendosin ambasadat) ndaj dhe ndodhin keqkuptime si ai që ka zoti Ahmetaj, i cili mendon se Dumani mund të ketë ndonjë ujdi apo allishverish personal me Edi Ramën, prandaj nuk vepron dot me politikë penale, por vetëm me teknikë penale.
Pra e thënë më shkoqur, Altin Dumani ka nocionin se prokurori sovran është nëpunës i shtetit dhe vartës i kryeministrit, mirëpo problemi është se kur Dumani bën politikën penale, ai nuk njeh për sovran kryeministrin, por gjasat janë që ai njeh për sovran ekspertë të caktuar nga ambasadat e huaja.
Kjo e përmbys skemën, e bën të pakuptimtë dhe kontroverse, bën që me të drejtë dhe zoti Ahmetaj në ankth e paranojë të imagjinojë sikur Altin Dumani dhe Edi Rama takohen natën fshehurazi në Surrel për të bërë plane konspirative.
Në fakt derisa dhe Fron Nahzi është detyruar sot të hedhë tezën se amerikanët mund të ndërtojnë një strukturë të dytë SPAK-u është tregues se dhe Fondacioni por edhe burokratët amerikanë kanë kuptuar se diçka e madhe nuk shkon në politikën penale të vendit.
Mirëpo zor se një strukturë e re SPAK-2.0 do të mund të zgjidhte ndonjë gjë derisa problemi në horizont nuk duket se është mungesa e strukturave, por mungesa e sovranitetit.
Një strukturë sovrane do ishte 100 herë me efiçente se 20 struktura jo-sovrane.
Pra, ekspertët amerikanë mund të ideojnë dhe SPAK 3.0 edhe SPAK 4.0 për hetimin deri të ç’rregullimeve të ankthit, mirëpo paradoksi i mungesës së sovranitetit do jetë prezent dhe logjika ta do që shtimi dhe ndërtimi i disa kateve më lartë, nuk mund të zhbëjë dot krisjen që ekziston në themel të “ndërtesës”.
Përkufizimi brilant i Ahmetajt
Në vijim të logjikës së paradokseve dhe marrëdhënies SPAK-Kryeministër-Ambasadë, vlen të theksohet se në intervistën e dytë të dhënë për Çim Pekën, Arben Ahmetaj bëri një përkufizim tepër interesant mbi atë që po ndodhte në marrëdhënien e Edi Ramës me vartësit e tij partiakë, sidomos me Veliajn.
Lexojeni me vëmendje si e ka përkufizuar Ahmetaj:
“Njerëzit që ti do nuk i prek. Ti nuk do të preket Erion Veliaj ti e ke futur Erionin në psikologjinë e njeriut që është buzë greminës. Ti nuk e dorëzon. Pse nuk e dorëzon? Sepse ti e do gjysmë të vdekur dhe ky(Rama) thotë ta mbaj gjysmë të vdekur sepse po më funksionon strategjia. Ja kam futur opozitës, gjithë opozita merret me Veliajn. Më mirë Veliaj gjysmë i vdekur dhe me këtë rast tensioni është larg meje thotë Rama. E ka strategji, e ka futur qëllimisht Veliajn në këtë lloj tensioni”.
Ky përcaktim dhe koncentrat që ka dhënë Ahmetaj, është ndoshta përkufizimi më kuptimplotë i artikuluar ndonjëherë mbi atë që po ndodh në ekuilibrat ndërmjet pushtetit qeverisës, SPAK-ut dhe ambasadave.
Sigurisht që dhe atje në ambasadë apo dhe te teknologët e pushtetit në Fondacionin Soros kjo gjë është kuptuar.
Mirëpo njësoj si me Ramën, krerët e Fondacionit kanë investuar dhe në karrierën e Veliajt, për pasojë bëhet shumë e vështirë që ata të marrin anë, sidomos në kushtet kur reforma në drejtësi dhe sidomos SPAK-u paraqiten si një moment krenarie i ambasadës dhe politikës së jashtme amerikane.
Duket se atje në New York në zyrat e Fondacionit kanë nisur të kuptojnë se suksesi me teknikat nga SPAK shoqëruar me pamundësinë e Dumanit për të orientuar politikë sovrane penale, i ka sjellë vet Fondacionit një goditje dhe një trazim nga mënyra si erdhi loja dhe nga goditja e Veliajt si nevojë për të amortizuar tensionet e Ramës, nëse do i referoheshim terminologjisë së Ahmetajt.
Kjo është dhe arsyeja pse një person kyç i Fondacionit si Fron Nahzi ka shkruar sot publikisht mbi problemet e Ramës dhe dështimin e SPAK-ut në politikë penale, sepse ndoshta dhe Fondacioni por dhe ekspertët e Departamentit të Shtetit mund të kenë filluar të kuptojnë se makineria që krijuan është si një ujk i rreptë dhe tepër efikas, por i verbër, pa busull, për pasojë mund të kafshojë dhe “të zotin”, pa e ditur se kë po kafshon. / Hashtag.al